Lidhje

Bush paralajmëroi elementët që nxisin luftën në Maqedoni - 2001-07-24


Presidenti Bush tha se personat që mbështesin luftën në Maqedoni po cënojnë intererat e shqiptarëve në rajon. Duke folur hapur, ai tha se populli i Kosovës duhet të përqëndrohet në çështjen e Kosovës. Në deklaratën me shkrim të presidentit amerikan thuhet se Maqedonia përbën sot kërcënimin më të madh për stabilitetin në rajon dhe se Shtetet e Bashkuara janë kundër të gjithë atyre personave të cilët shkaktojnë, ose mbështesin dhunën kundër demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Anëtarët amerikanë të forcës paqeruajtëse në Kosovë, nuk po lejojnë hyrjen e armëve në Kosovë. Në fjalën që mbajti në kampin Bondsteal para paqeruajtësve amerikanë, presidenti Bush foli edhe lidhur me rëndësinë e kësaj force. “Në sajin tuaj, në Maqedoni po hyjnë gjithnjë e më pak armë dhe ka shpresa për vendosjen atje të paqes“.

Presidenti Bush shkoi në Kosovë për të falënderuar trupat amerikane dhe ushtarët ju përgjigjën përshëndetjes së presidentit. Ushtarët të veshur me rroba ngjyrë të gjelbër dhe të murrme ishin mblodhur në sheshin e paradave të kampit Bondsteel. Ndërsa qëndronte para trupave amerikane, me malet e rrethuara nga retë në sfond, presidenti Bush vlerësoi lart punën e tyre në Kosovë. “Nga Kosova në Kashmir, nga Lindja e Mesme në Irlandën e Veriut, liria dhe toleranca janë një çështje përcaktuese për botën ku ne jetojmë. Pikërisht shërbimi juaj këtu përbën një shembull për të gjithë botën” tha presidenti.

Gjatë kohës së fushatës së tij si kandidat për president, zoti Bush ishte shprehur se ndërhyrja ushtarake amerikane në vende të ndryshme të botës ishte e tepruar dhe se ai do t’i rishikonte obligimet paqeruajtëse të Shteteve të Bashkuara në botë. Por tani, mendimi i presidentiti Bush duket se ka ndryshuar. Duke qëndruar para ushtarëve amerikanë, presidenti Bush tha se trupat amerikane do të qëndrojnë në Kosovë për sa kohë të jetë e nevojshme, deri në përfundim të misionit të tyre. “Forcat amerikane dhe ato të aleatëve ndodhen tashmë në Bosnje dhe Kosovë. Ne erdhëm këtu së bashku dhe po së bashku do të largohemi. Synimi ynë është përshpjetimi i ditës kur paqja të jetë e qëndrueshme, kur autoritetet e vendit të zgjedhura në mënyrë demokratike të marrin përgjegjësi të plotë për vendin e tyre dhe kur trupat e NATO-s do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre”.

Kosova ishte ndalesa e fundit e Presidenti Bush në turneun e tij evropian. Pas vizitës në Kosovë, ai u nis për në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG