Lidhje

Kalendari Historik i datës 28 korrik - 2001-07-28


Më 28 gusht të vitit 1962, policia e qytetit Albany, në shtetin Georgia, arrestoi 75 klerikë, që ishin duke u lutur së bashku në shkallët e bashkisë së qytetit. Klerikët kishin shkuar në këtë qytet të Georgias jugperëndimore për të mbështetur kërkesën e banorëve vendas, të cilët donin t’i jepej fund traditës së ngurtë të dallimit racial në Albany. Kryetari i bashkisë dhe shefi i policisë së qytetit, thanë se nuk do të hynin në bisedime me shkelësit e ligjit, apo me agjitatorët e jashtëm, siç i quanin ata me tallje demontruesit për të drejtat civile. Ndërmjet tetorit të vitit 1961 dhe gushtit të vitit 1962 policia e qytetit Albany, në Georgia, arrestoi rreth një mijë e 100 veprimtarë të të drejtave civile, që merrnin pjesë në Lëvizjen e qytetit Albany për barazi. Policia i akuzoi demonstruesit se bllokonin trafikun, organizonin marshime pa leje dhe kundërshtonin urdhërat për t’u shpërndarë.

Më 28 gusht 1963 qindra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, Uashington, në një miting për të drejtat civile, në përfundim të Marshimit njëditësh Drejt Uashingtonit. Marshimin e kryesonte veprimtari i të drejtave civile, i përndershmi Martin Luther King, i Riu. Gjatë ditës komitetet e pjesëmarrësve në marshim u takuan me anëtarë të kongresit dhe udhëheqës qeveritarë dhe u kërkuan atyre të flisnin kundër dallimit racial dhe të mbështetnin përpjekjet për të drejta të barabarta dhe për mundësi të barabarta për punë. Ndërmjet oratorëve dhe artistëve që morën pjesë në miting kishte veprimtarë të të drejtave civile dhe këngëtarë të muzikës popullore. Mitingu mori tonin e një fushate, kur i përndershmi King mbajti nga shkallët e përmendores së Linkolnit atë që u bë i njohur si fjalimi “Unë Kam Një Ëndërr”.

XS
SM
MD
LG