Lidhje

Maqedoni: në Ohër vazhdojnë bisedimet - 2001-07-28


Në Ohër po vazhdojnë bisedimet që synojnë t’u japin fund luftimeve ndërmjet forcave qeveritare dhe luftëtarëve shqiptarë në Maqedoni.

Udhëheqësit politikë të shqiptarëve dhe të maqedonëve filluan dje bisedimet, por i dërguari amerikan James Pardew tha se nuk është arritur ndonjë përparim domethënës pas ditës së parë të bisedimeve.

Bisedimet përqendrohen në kërkesat e komunitetit shqiptar që shqipja të njihet si gjuhë zyrtare në rajonet ku shqiptarët përbëjnë 20 përqind të popullsisë ose më shumë. Siç bëjnë të ditur njoftimet çështja e gjuhës mbetet një ndër pengesat kryesore në arritjen e një marrëveshjeje për paqe.

Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar kërkojnë zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Por maqedonasit dhe udhëheqësit e tyre politikë shprehin shqetësim se një gjë e tillë do të sillte përçarjen e mëtejshme të këtij vendi ballkanik.

Ndërkaq Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë thotë se luftëtarët shqiptarë qëlluan sot me katër granada kazermat ushtarake në afërsi të Tetovës. Nuk ka pasur njoftime për dëme në njerëz apo objekte.

XS
SM
MD
LG