Lidhje

Bastisje në Shkup, pesë të vrarë. - 2001-07-30


Një zyrtar i lartë maqedonas tha se policia bastisi sot një shtëpi në Shkup, duke vrarë pesë persona të dyshuar si luftëtarë shqiptarë. Ministri i brendshëm i Maqedonisë, Ljube Boshkovski tha se policia e ndërmori operacionin sot herët në mëngjes.

Ai tha se midis të vrarëve ishte edhe një prej komandantëve të luftëtarëve shqiptarë që njihej me emrin Teli. Ndërkohë, bisedimet e paqes në Ohër vazhdojnë, megjithë problemet serioze që u shfaqën dje rreth çështjes së çarmatosjes së luftëtarëve shqiptarë.

Palët ishin në prag të arritjes së një marrëveshjeje, por bisedimet u ndërprenë papritur kur pala maqedonase doli me një kërkesë të re, për çarmatosjen e luftëtarëve shqiptarë përpara se Parlamenti i Maqedonisë të miratojë marrëveshjen e paqës. Luftëtarët shqiptarë kanë theksuar se nuk do ti dorëzojnë armët pa filluar zbatimi i reformave që kanë për qëllim tu sigurojnë më shumë të drejta shqiptarëve në Maqedoni.

Ndërkohë, Ish i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, James O-Brien i tha Zërit të Amerikës se rruga drejt pajtimit në Maqedoni do të jetë e vështirë. Zoti O-Brien tha se marrëveshja ushtarake nuk mund të mos përfshijë edhe çështjen e amnestisë, që është një nga kërkesat kryesore të luftëtarëve shqiptarë dhe njëkohësisht mjaft e diskutueshme për maqedonasit. Prandaj, tha zoti O-Brian, ende mbeten bisedime të vështira për tu zhvilluar.

XS
SM
MD
LG