Lidhje

Kalendari historik i datës 31 korrik - 2001-07-31


Më 31 korrik 1787 George Washingtoni bëri një vizitë në luginën Valley Forge të Pensilvanisë. 10 vjet më parë gjenerali Washington dhe 9 mijë trupat e tij kaluan në këtë vend një nga dimrat më të ashpër të Luftës Revolucionare Amerikane. Tani ai drejtonte punimet e Kuvendit Kushtetues të Filadelfias. Zoti Washington mori një ditë pushim nga punimet e Kuvendit për të eksploruar luginën me pyje të dëndura, e cila ndodhej 31 kilometra larg qytetit. Strehimet dhe pozicionet mbrojtëse, që ishin ndërtuar nga ushtarët e tij të uritur dhe të veshur keq, gjatë dimrit të vitit 1777, ishin katandisur në gërmadha. Sidoqoftë të gjitha kujtimet e zymta që i ngjalli ajo vizitë, mund të jenë zbutur nga kënaqësitë që provonte Washingtoni. Revolucioni amerikan kishte përfunduar me sukses, vendi kishte fituar pavarësinë nga Anglia dhe Kuvendi Kushtetues që ai drejtonte, po përgatiste projektin për qeverinë e re të vendit të tij të ri.

Më 31 korrik 1790 qeveria e Shteteve të Bashkuara nxori patentën e saj të parë. Ajo iu dha zotit Samuel Hopkins për shpikjen e një procesi të ri për të prodhuar kripëra dhe karbonat potasiumi. Këto substanca përdoren për plehërimin e tokës dhe në industri, ndër të tjera për të prodhuar çelik dhe xham. Autorët e Kushtetutës Amerikane mbështetnin të drejtën e autorëve për t’u shpërblyer financiarisht për shpikjet e tyre. Kështu neni i parë i Kushtetutës porosit Kongresin të miratojë ligje për patentat dhe të drejtën e autorit. Historiani Robert Bruce thotë se e drejta e patentës ishte një nga arsyet e zhvillimit të Shteteve të Bashkuara, si një fuqi teknologjike.

XS
SM
MD
LG