Lidhje

Gjykata e Hagës dënon një gjeneral të serbëve të Bosnjes - 2001-08-02


Gjykata e Hagës shpalli fajtor për gjenocid gjeneralin e serbëve të Bosnjes, Radislav Krstiç, për rolin e tij në vrasjen e mijëra myslimanëve të Srebrenicës. Ky është dënimi i parë që një gjykatë ndërkombëtare jep për gjenocid në Evropë. Gjykata e Hagës arriti në përfundimin se gjenerali Krstiç kishte pranuar një plan për arrestimin dhe ekzekutimin e rreth 8 mijë meshkujve myslimanë të Bosnjës që ishin kapur gjatë ofensivës serbe kundër Srebrenicës në korrik 1995. Gjykata e dënoi ish oficerin serb me 46 vjet burgim. Gjenerali Krstiç ishte numri dy në komandën e forcave serbe që sulmuan Srebrenicën.

Gjykata e Hagës dënoi 53 vjeçarin Radislav Krstiç me 46 vjet burgim për gjenocid dhe përndjekje të mijëra myslimanëve të Bosnjës gjatë ofensivës serbe kundër Srebrenicës, që ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Deri tani ky është dënimi më i rëndë që jep gjykata e Hagës.

Gjenerali Krstiç mohoi akuzën për gjenocid dhe akuzat e tjera. Ai mohoi përgjegjësinë për vrasjen e rreth tetë mijë meshkujve myslimanë të Bosnjës kur ushtria serbe pushtoi Srebrenicën më 1995. Gjenerali Krstiç tha se urdhërat për ekzekutim i kishte dhënë eprori i tij, gjenerali Ratko Mlladiç. Por në vendimin e gjykatës thuhej se gjenerali Krstiq kishte dijeni për kryerjen e masakrave.

Gjykatësi Almiro Rodrigez, i cili foli nëpërmjet një përkthyesi, tha se megjithëse persona të tjerë mund të kenë pasur më shumë përgjegjësi, gjenerali Krstiç është fajtor sepse ai e pranoi planin për të ekzekutuar meshkujt e Srebrenicës. “Në korrik të vitit 1995, ju gjeneral Krstiç keni rënë dakord për këtë vepër makabër. Dhe për këtë arsye kjo gjykatë ju shpall fajtor dhe ju dënon me 46 vjet burgim, tha gjykatësi.” Ish-gjenerali Krstiç, i cili ka humbur njërën këmbë si pasojë e shpërthimit të një mine u lejua të qëndrojë i ulur gjatë shpalljes së dënimit.

Gjykatësi Rodriguez, në një përmbledhje të gjatë të fakteve mbi masakrën në Srebrenicë, përshkroi vrasjet që ishin kryer nga ushtria serbe pas vënjes nën kontroll të qytetit të Srebrenicës. I trishtuar, ai përshkroi se si ushtarët serbë të Bosnjës kishin kapur meshkujt mysliman dhe me kamion i kishin dërguar drejt një vendi të izoluar dhe pastaj i kishin ekzekutuar pothuajse të gjithë.

Dënimi për gjeneralin Krstiç është shenjë se edhe dy të akuzuarit e tjerë, ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe gjenerali Mladiç nëse kapen do të përballen me akuzat për gjenocid.

XS
SM
MD
LG