Lidhje

Haga ngre akuza kundër tre oficerëve myslimanë të Bosnjës - 2001-08-03


Gjykata ndërkombëtare për krimet e luftës në Hagë ngriti padi kundër tre oficerëve myslimanë të Bosnjës. Një zëdhënës i gjykatës tha se tre oficerët akuzohen për krime kundër njerëzimit në Bosnje në vitin 1993. Autoritetet myslimano-kroate njoftuan se tre të akuzuarit i janë dorëzuar dje vullnetarisht policisë, por ende nuk dihet se kur do të dërgohen në Hagë. Dje gjykata e Hagës e dënoi gjeneralin serb të Bosnjës, Radislav Krstiç me 46 vjet burgim për shkak të rolit të tij në masakrën e Srebrenicës më 1995. Gjykatësit pranë gjykatës ndërkombëtare për krimet e luftës shpallën dje fajtor gjeneralin serb të Bosnjës Radoslav Krstiç për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës. Gjenerali 53 vjeçar u dënua më 46 vjet burgim për vrasjen e rreth 8 mijë meshkujve myslimanë. Ky është dënimi më i ashpër i dhënë ndonjëherë nga Gjykata.

Vendimi i gjykatës përbën dënimin e parë të dhënë për gjenocid dhe me këtë gjykata për herë të parë provoi se në Bosnjë është kryer gjenocid. Gjenerali serb ka në plan ta apelojë vendimin. Zëdhënësi i Gjykatës së Hagës, Jim Landale foli mbi rëndësinë që ka vendimi i djeshëm i gjykatës: “Kjo është një arritje mjaft e madhe për Gjykatën. Është fjala për personin e parë që shpallet fajtor nga ky institucion nën akuzat për gjenocid. Në të kaluarën ne kishim persona të tjerë të akuzuar për gjenocid dhe dy prej tyre dolën të pafajshëm, kështu që kjo është hera e parë që dikush në të vërtetë dënohet.” Presidentja e organizatës ”Gratë e Srebrenicës” Harja Catiç thotë se ajo është ende e dëshpëruar. “Dënimi me 46 vjet burgim nuk mjafton. Ne shpresonim se ai do të dënohej me burgim të përjetshëm, por sidoqoftë ai nuk do të jetojë aq gjatë sa të mbijetojë dënimin.” Këtu në Washington, zëdhënësi i Departamentit të shtetit Richard Boucher tha se Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura me dënimin. “Ne përshëndesim gjykatën ndërkombëtare për drejtësinë e arritur në këtë çështje, dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet për t’i sjellë përpara drejtësisë të gjithë personat që kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare humanitare, tha zëdhënësi.” Zoti Boucher gjithashtu theksoi se vendimi i djeshëm thekson rëndësinë që ka kapja e të akuzuarve të tjerë - veçanërisht e Ratko Mlladiçit dhe Radovan Karaxhiçit.

XS
SM
MD
LG