Lidhje

Kalendari Historik i datës 5 gusht - 2001-08-05


Më 5 gusht të vitit 1867, një epidemi tropikale e njohur si ethet e verdha ishte në kulmin e saj në Fort Jefferson, një burg federal në ishujt Dry Tortugas në brigjet jugore të gadishullit të Floridës. Një i burgosur, doktor Samuel Mudd, doli vullnetar për t’u kujdesur për të burgosurit dhe gardianët e goditur nga epidemia. Ai punoi ditë e natë përpara se ai, vetë, të binte i sëmurë dhe asnjëri nga pacientët e tij nuk vdiq. Samuel Mudd ishte dërguar atje për të vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për mjekimin e këmbës së thyer të vrasësit të presidentit Abraham Lincoln, John Wilkes Booth. Zoti Mudd gjatë gjithë gjyqit të tij këmbënguli se nuk e kishte ditur që pacienti i tij kishte vrarë presidentin. Më 1869, presidenti Andrew Johnson njohu heroizmin e zotit Mudd gjatë epidemisës së etheve të verdha në Ford Jefferson dhe ia fali dënimin. Më 5 gusht të vititi 1953, Kombet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut filluan shkëmbimin e të burgosurve të zënë rob gjatë Luftës së Koresë. Komandantët aleatë e quajtën shkëmbimin e rreth 13 mijë ushtarakëve robër nga radhët e Forcave Aleate dhe 74 mijë nga radhët e forcave koreano-veriore “Operacioni Shkëmbimi i Madh”. Shkëmbimi u realizua në fshatin Panmunjon ku ishte vendosur armëpushimi. Sipas programit të riatdhesimit komunistët do të dorëzonin 400 të burgosur në ditë, kurse forcat aleate 2 mijë e 400 ushtarë të forcave komuniste. Në praninë e kamerave që regjistronin shkëmbimin, thuhet se disa robër koreanoveriorë dhe kinezë shqyen rrobat e tyre dhe bënë fytyrat me baltë për t’u dukur sikur ishin keqtrajtuar gjatë qendrimit si robër. Të tjerët thërrisnin në mënyrë provokuese ndaj rojeve të Kombeve të Bashkuara dhe këndonin këngë patriotike. Shumë të burgosur amerikanë dhe të tjerë të forcave të Kombeve të Bashkuara të cilët po ktheheshin kishin vuajtur për shkak të kequshqyerjes, të tjerë kishin marrë edhe tuberkuloz.

XS
SM
MD
LG