Lidhje

Kalendari historik i datës 8 gusht - 2001-08-09


Më 8 gusht 1974, presidenti Richard Nixon u bëri të ditur qytetarëve amerikanë se të nesërmen kishte ndërmend të jepte dorëheqjen . Zoti Nixon ishte përfshirë në një mori skandalesh që kishin filluar më 17 qershor, të vitit 1972. Mbrëmjen e asaj dite policia arrestoi veprimtarë të fushatës zgjedhore të presidentit Nixon, brenda selisë së Komisionit kombëtar të partisë demokratike në hotelin Watergate, në Washington. Pas këtij incidenti pasuan edhe shumë gënjeshtra dhe përpjekje për të fshehur të vërtetën, që përfshinë edhe presidentin Nixon. Përfundimisht, Komisioni i drejtësisë i Dhomës së Përfaqësuesve, ngriti padi kundër presidentit. Pas kësaj ai vendosi të japë dorëheqjen. Në fjalimin drejtuar kombit nga zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, zoti Nixon nuk e preku fare çështjen e fajësisë:”Në se muajt e ardhshëm do të vazhdoja përpjekjet për të provuar pafajësinë time, kjo do të më merrte gjithë kohën mua si president dhe Kongresit, në një kohë kur gjithë vëmendja jonë duhet të përqëndrohet në çështje të tilla madhore si paqja në botë dhe begatia pa inflacion në vendin tonë. Prandaj, unë do të jap dorëheqjen që nesër në mesditë”. Të nesërmen, presidenti Nixon iu drejtua me një fjalim emocional lamtumire personelit të tij, para se të nisej për në shtëpinë e tij në Kaliforninë jugore.

Më 8 gusht, 1945, presidenti amerikan Harry Truman nënshkroi Kartën e Kombeve të Bashkuara. Me këtë veprim, Shtetet e Bashkuara u bënë vendi i parë që nënshkronte këtë dokument. Senati e kishte miratuar Kartën e Kombeve të Bashkuara 11 ditë më parë, më 28 korrik. Atëherë, zoti Truman ishte në një Konferencë në Berlin, ku u takua me udhëheqësin sovjetik Josif Stalinin dhe kryeministrin anglez, Clement Attlee. Zoti Truman përshëndeti vendimin e senatit duke thënë se ishte ”tejet mirënjohës” dhe se mbështetja për kartën e Kombeve të Bashkuara i jep një shtytje të rëndësishme përpara kauzës së paqes në botë”.

XS
SM
MD
LG