Lidhje

Intervistë me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare Arber Xhaferi - 2001-08-09


EB: Zoti Xhaferi mirëmbrëma! Xhaferi: Mirëmbrëma! EB: Zoti Xhaferi, ju ishin pjesmarrësi kryesor nga pala shqiptare në bisedimet e Ohrit. A mund të na jepni fillimisht ndonjë hollësi mbi pikat kryesore të marrëveshjes që u arrit dje dhe që pritet të nënshkruhet të hënën? Xhaferi: Marrëveshja në esencë përmban një mesazh të fuqishëm se situata, kontesti i hapur etnik mund të zgjidhet me mjete politike. Me këtë marrëveshje janë paraparë pikat që e avancojnë pozitën e shqiptarëve në sistem. Pika kryesore është përshkrimi i Maqedonisë si shtet i qytetarëve dhe jo si shtet i etnikumit maqedonas. Pra është ndërruar fryma e preambulës së kushtetutës. Pastaj barazohet përdorimi i gjuhës shqipe dhe shëndrrohet në gjuhë zyrtare në gjitha nivelet e shtetit, me disa kufizime që në esencë nuk do të pengojnë që në të ardhmen gjuha shqipe plotësisht të jetë e barabartë. Po ashtu parashikohet përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucionet e sistemit. Njëherë për njëherë kemi vetëm 3 përqind të shqiptarëve nëpër këto struktura. Parashikohet që në të ardhmen të punësohen edhe 18 mijë shqiptarë nëpër struktuart administrative dhe shtetërore të Maqedonisë. Pastaj esenca e marrëveshjeve është edhe e drejta e vetos, ose vendosja me koncensus për disa çështje kryesore që kanë të bëjnë me interesin shqiptar. Përfundimisht aty parashikohet edhe arsimi publik në gjuhën shqipe në nivel sipëror, pra ai me investime të shtetit. Mbi të gjitha parashikohet edhe monitorimi i jashtëzakonshëm i faktorit ndërkombëtar në të gjitha zonat sensitive të krizës. LK: Zoti Xhaferi, meqenëse Ushtria Çlirimtare Kombëtare nuk mori pjesë në bisedime, si do ta bindni ju atë për pranimin e marrëveshjes? A është rënë dakord për ndonjë amnesti për luftëtarët shqiptar? Xhaferi: Në bazë të marrëveshjes, UÇK-ja ka arritur një pozicion shumë të fuqishëm meqë ajo si subjekt ushtarak e nënshkruan marrëveshjen me NATO-n. Kjo është hera e parë që një subjekt i tillë ushtarak shqiptar nënshkruan marrëveshje me NATO-n. Në këtë marrëveshje tekniko-ushtarake është paraparë edhe amnestia e përgjithshme për ushtarët që janë në luftime. Mendoj se praktikisht ata e kanë kuptuar domethënien dhe domosdonë e një marrëveshje të këtillë politike, dhe kujtoj se ata nuk do të bëjnë vërejtje në këtë marrëveshje. EB: Zoti Xhaferi duke marrë parasysh politizimin e tanishëm të gjendjes në Maqedoni dhe trazirat e fundit, sa e vështirë do të jetë për udhëheqësit maqedonas që ta bindin popullatën maqedonase që ta pranojë këtë marrëveshje? Xhaferi: Pyetja është shumë e drejtë. Pala maqedonase ka telashe të mëdha ta bindë popullin e vet që ta akceptojë këtë marrëveshje ku kryesisht avancohet, të mos them qind për qind, pozita e shqiptarëve në sistem. Psikologjia, mentaliteti i maqedonasve një kohë të gjatë është ndërtuar mbi bazat e një nacionalizmi qesharak dhe ata vështirë e kanë që të pranojnë një barazi të tillë demokratike të shqiptarëve në sistem. Pikërisht për këtë shkak në Maqedoni ekziston një lob, i ashtuquajtur luftarak, që dëshiron ta agravojë krizën duke insistuar që të mos zbatohet marrëveshja që u arrit dje në Ohër. LK: Zoti Xhaferri a mendoni se do të jetë i mundur ratifikimi i marrëveshjes në parlament, ose të paktën a kanë rënë dakord partitë pjesmarrëse në bisedime se do të angazhohen për këtë qëllim? Xhaferi: Po, të gjithë pjesmarrësit e kanë vënë nënshkrimin, e kanë ratifikuar marrëveshjen dhe tash të hënën duhet të nënshkruhet zyrtarisht marrëveshja, ku drejtues solemn do të jenë zoti Solana dhe zoti Robertson. Pra prezenca e tyre dhe nënshkrimi i përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Pardew dhe zoti Leotard, përfaqësues i Unionit Evropian, do të jenë garancë për mbarëvajtjen e marrëveshjes. LK: Zoti Xhaferi, Falemnderit. Xhaferi: Falemnderit.

XS
SM
MD
LG