Lidhje

Maqedoni: nënshkruhet marrëveshja - 2001-08-09


Udhëheqësit politikë në Maqedoni nënshkruan një marrëveshje e cila synon ti japë fund dhunës në vend, ndërkohë që jashtë kryeqytetit Shkup kanë vazhduar shkëmbimet e zjarrit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s George Robertson tha se ende mbetet shumë për të bërë për të garantuar një armëpushim të qendrueshëm por ai theksoi se marrëveshja do të shënojë hyrjen e Maqedonisë në Evropën moderne. Ai i bëri këto komente pas arritjes në Shkup për ceremoninë e nënshkrimit.

Shefi i politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian Havier Solana e quajti këtë zhvillim një ditë të madhe në historinë e Maqedonisë. Qeveria shpalli një armëpushim si shenjë të vullnetit të mirë, por sot në mëngjes ka patur shkëmbime zjarri në fshatrat afër Shkupit. Realizimi i marrëveshjes u bë i mundur me ndihmën e të dërguarve evropianë dhe amerikanë.

Marrëveshja parashikon një prani më të madhe të shqiptarëve në forcën policore dhe njeh gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në disa pjesë të vendit. Ndërmjetësi amerikan James Pardew e ka quajtur marrëveshjen shansin më të mirë për paqe për Maqedoninë. Por është ende e paqartë nëse luftëtarët shqiptarë, të cilët nuk kanë patur rol të drejtpërdrejtë në bisedime, do të çarmatosen. Natoja përgatitet të dërgojë një forcë paqeruajtëse prej 3 mijë e 500 vetash në Maqedoni për të ndihmuar në procesin e çarmatimit.

XS
SM
MD
LG