Lidhje

Ahmeti: UÇK e mbështet marrëveshjen - 2001-08-10


VOA: Zoti Ahmeti, a është UÇK-ja autore e sulmeve të këtyre ditëve kundër trupave maqedonase, për shembull e incidentit të sotëm?

A.AHMETI: UÇK-ja nënshkroi një marrëveshje me NATO-n, ku të dyja palët nuk kemi të drejtën e lëvizjes, kështuqë unë sot shpreh keqardhje për trupat qeveritare që kanë hyrë në rrugë malore dhe kanë hasur në mina, të cilat ne nuk i kemi verifikuar në janë mina të vendosura nga ushtarët tanë, apo nga vetë forcat qeveritare, për të penguar Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare për të lëvizur në këto drejtime. Kështu edhe një herë, shpreh keqardhje për këtë aksident.

VOA: Zoti Ahmeti, një grup i quajtur Armata Kombëtare Shqiptare ka marrë përgjegjësinë së bashku me UÇK-në, siç thonë ata, për incidentin e para dy ditëve, ku u vranë dhjetë ushtarë maqedonas. A e njihni ju këtë grup?

A.AHMETI: Jo, ne nuk kemi njohuri. Këtu në Maqedoni vepron një emblemë, që është Ushtria Çlirimtare Kombëtare, kurse për këtë veprim që është bërë në rrugën Shkup-Tetovë, në atë rajon nuk shtrihen forcat tona, kështu që ne nuk mbajmë përgjegjësi për të.

VOA: Zoti Ahmeti, cili është mendimi juaj për marrëveshjen midis partive politike, a jeni dakord ju me të gjitha çështjet e diskutuara, me të gjitha pikat për të cilat është arritur marrëveshja?

A.AHMETI: Po sigurisht, që në biseda të tilla, në tryeza të tilla, ne Ushtria Çlirimtare Kombëtare kemi paraqitur platformën që nga fillimi i luftës. Sigurisht, që e gjithë platforma jonë nuk ka gjetur përkrahjen e duhur në këtë platformë, në këtë konferencë, më falni, mirëpo në parim ne pajtohemi me platformën, e cila është miratuar kështu nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe nga partitë politike shqiptare që kanë qenë pjesëmarrëse në këtë konferencë. Kështu që këtu e shohim ne të arsyeshme, që konferenca, platforma që është aprovuar në këtë konferencë, platforma e paqes të gjejë mbështetje edhe nga UÇK-ja. VOA: Pra, ju jeni dakord me marrëveshjen e arritur, a mund të themi kështu?

A. AHMETI: Po, UÇK-ja është dakord me marrëveshjen; këtu shohim që në bazë të kësaj marrëveshjeje, në Maqedoni të vendosen standarte evropiane, të hapet perspektiva që Maqedonia të integrohet në strukturat Euro-Atllantike; në bazë të kësaj marrëveshjeje, shqiptarët realizojnë në përgjithësi kështu, një projekt të vetin, ku do ta gjejnë veten të barabartë në shtetin e tyre.

VOA: Pra, zoti Ahmeti, në se nënshkruhet zyrtarisht marrëveshja, UÇK-ja do të përpiqej për zbatimin e saj, përfshirë këtu edhe çarmatimin tuaj? A.AHMETI: Sigurisht, që po. Ne veç i kemi projektet për çarmatosjen e UÇK-së. Këto projekte na janë ofruar nga strukuturat e NATO-s, nga i dërguari i zotit Robertson dhe jemi në përpunim e sipër të këtyre dokumentacioneve.

VOA: Zoti Ahmeti, ju faleminderit!

XS
SM
MD
LG