Lidhje

Kalendari historik i datës 11 gusht - 2001-08-11


Më 11 gusht të vitit 1934, oficerë të policisë dhe gardianë të armatosur rëndë, shoqëruan të burgosurit e parë për në burgun e ri federal, të quajtur Alcatraz. Ndërtesa gri e burgut të ri, e ngritur në ishullin prej 5 hektarësh në Gjirin e San Franciskos të Kalifornisë, ishte ndërtuar posaçërisht për të dënuarit më të rrezikshëm të burgjeve federale. Burgu i Alcatraz-it nuk ishte aq i padepërtueshëm sa mund të mendohej. Megjithatë, cilitdo të burgosuri që mundi të arratisej, i duhej të kacavirrej nëpër muret e lartë të burgut, të ngjitej nëpër shkëmbinjtë e bregut të ishullit dhe të notonte në ujin dhe rrymat e ftohta të Gjirit të San Franciskos, para se të mund të dilte në bregun matanë ishullit. 26 të burgosur të Alcatraz-it mundën të arratisen nga burgu, por 8 prej tyre rojet i qëlluan me armë, duke i vrarë, apo mbytur, 13 të tjerë u kapën dhe vetëm 5 të arratisurve të tjerë nuk u dihet fati. Zyrtarët mendojnë se ata mund të kenë vdekur. Më 1963, qeveria federale e mbylli burgun e Alcatraz-it, për shkak të pozicionit të tij, që e bënte tepër të kushtueshëm mbajtjen dhe furnizimin e tij. Në vitet ’70, Qendra e Shërbimit Kombëtar të Parqeve mori përsipër ta përdorte ishullin për qëllime turistike. Më 11 gusht të vitit 1902, Oliver Wendell Holmes i Riu, u emërua nënkryetar i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara. Gjatë 30 vjetëve të shërbimit të tij në këtë post, shumë nga vendimet e marra prej tij nuk përputheshin me mendimin e shumicës. Megjithatë, sipas profesorit të Falultetit të Drejtësisë të Universitetit të Virxhinias, William Stunz, mendimet e zotit Holmes patën një ndikim të madh në zhvillimet e mëvonshme të ligjeve kushtetuese. Zoti Holmes erdhi në Washington DC me besimin se gjykata do të ishte një vend “për shkëmbimin e lirë të ideve”. Profesori Strunz thotë se gjykatësi Holmes u përpoq t’u jepte ligjeve formën e një organizmi të gjallë.

XS
SM
MD
LG