Lidhje

"Ruhuni nga dielli!" - 2001-08-13


Gushti është ndër ato muaj, kur miliona amerikanë udhëtojnë drejt brigjeve të detit për të shijuar diellin dhe temperaturat e ngrohta. Kjo kohë është e rëndësishme edhe për mjekun Ted Daly, i cili njihet më mirë si ”polici i kancerit të lëkurës”. Misioni i tij është: të zbresë në plazhet e New Yorkut për të nxitur vetëdijën për rreziqet që vijnë nga rrezet e diellit. ”Mendoj se duhet të shijojmë jetën dhe diellin, si dhe gjëra të tjera, por ndoshta është më mirë të përdorim vaj plazhi.” Doktor Daly është pediatër dermatolog dhe si i tillë, ai inkurajon që fëmijët që të mos ekspozohen në moshat e njoma. Ai thotë se 80 për qind e njerëzve me melanomë kanë pësuar që fëmijë dëmet në lëkurën e tyre.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i të goditurve nga kanceri të lëkurës është rritur në vitet e fundit. Më shumë se gjysëm milioni rastesh të reja të melanomës, forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës, regjistrohen çdo vit. Shumica e plazhistëve i mirëpresin këshillat e doktor Daly-t. ”Pas takimit me doktor Daly-n, sot jam lyer me vaj plazhi me numër 8, gjë që është një hap i madh për mua.” Kurse doktor Daly, pediatër dermatolog, konstaton: ”U pëlqen kjo që bëj. Shpesh më ndalin për t’ua ekzaminuar sadopak lëkurën. Njerëzit janë të interesuar të flasin për këtë çështje.” Por ka prej atyre që nuk i marrin këshillat e tij seriozisht. Një pushuese thotë lidhur me kancerin: ”Më shqetëson disi, por në moshën time ndihem disi e paprekshme. Asgjë e keqe nuk mund të më ndodhë. Por megjithatë jam e vetëdijshme për këtë rrezik.”

Doktor Daly thotë se ai u afrohet pushuesve si duke luajtur për të shmangur formën e leksioneve për njerëzit, ndërkohë që ata po përpiqen t’ia kalojnë sa më mirë në plazh. Ai shton se kurrë nuk lodhet duke shkuar poshtë e lart ndër plazhe. Sipas tij, të bindësh qoftë edhe vetëm një person të përdorë vajin e plazhit, është mjaft.

XS
SM
MD
LG