Lidhje

Mbrojtja amerikane kundër raketave, ç'thonë analistët? - 2001-08-13


Pas një prove të suksesshme muajin e kaluar të një rekete receptuese e cila asgjësoi një raketë ndërkontinentale balistike në lartësi të madhe mbi oqeanin Paqësor, Shtetet e Bashkuara po i vazhdojnë planet për përgatitjen dhe instalimin e një sistemi kombëtar të kufizuar kundër raketave. Këto plane janë në kundërshtim me traktatin kundër raketave balistike të nënshkruar përpara 30 vjetësh, për të cilin presidenti Bush është shprehur se është koha të kapërcehet.

Traktati kundër Raketave Balistike u pat diskutuar ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik dhe ndalon mbrojtjet mbarëkombëtare ndaj raketave me rreze të gjatë veprimi. Në takimin e tyre në Gjenovë, presidenti Bush dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ranë dakord të punohej për një kornizë strategjike që përfshin, si mbrojtjen kundër raketave, ashtu edhe shkurtime thelbësore në arsenalet bërthamore të të dy vendeve. Megjithatë, kritikët thonë se mbrojtjet kundër raketave janë të panevojshme, nuk funksionojnë si duhet dhe mund të nxisin një garë të re armatimesh.

Frank Gaffney është drejtor ekzekutiv i Qendrës për politikën mbi Sigurimin. Ai thotë se shkëmbimi i tanishëm i informacionit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, përsa përket mbrojtjes kundër raketave, është e rruga e duhur për të ecur përpara. ”Hapi themelor është vendosja e një marrëdhënieje të një tipi të ri ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, ndërkohë që në kushtet e dikurshme të Traktatit Kundër Raketave, të Luftës së Ftohtë, të regjimit dypalësh të shkatërrimit të siguruar të arsenaleve, ne nuk do t’i kishim dhënë informacione Rusisë lidhur me planet për mbrojtjen. Shtetet e Bashkuara mund t’i japin informacion Rusisë, pasi nuk mendojnë që ajo është kërcënim për ne dhe se me kalimin e kohës, dy vendet mund të bëhen vende-mike. Administrata tregon haptas interesimin e saj për bisedime lidhur me mënyrat që të dyja palët të mund të pakësojnë armët mësymëse bërthamore në nivele më të ulëta të kuptueshme për sejcilën prej tyre.”

Henry Soloski, është drejtor në Qendrën e Edukimit me Politikën e Mospërhapjes së Armëve. Ai thotë se ekziston një marrëveshje dypalëshe përsa i përket nevojës për mbrojtjen kundër raketave. ”Madje, edhe kur shërbimet e fshehta në kohën e presidentit Clinton dolën në përfundimin përpara më pak se një dekade se ne do të përballeshim me kërcënime ndërkontinentale nga raketat balistike, sigurisht, nga Kina, Rusia, kërcënime aksidentale, apo edhe me qëllim nga Koreja e Veriut, ndoshta nga Irani ose edhe Iraku. Përveç kësaj, ekzistojnë të paktën 15 vende që kanë raketa balistike me rreze më të vogël. Në këtë grup përfshihet edhe ai lloj vendesh me të cilin Shteteve të Bashkuara do të mund t’u duhet të përballen në një konflikt tjetër si ai i Gjirit Persik, Koresë apo në Afrikën Veriore.”

Michael O’Hanlon është bashkëpunëtor i vjetër shkencor në Institutin Brookings. Ai thotë se mbrojtja kundër raketave është thelbësore për strategjinë e ardhshme të Shteteve të Bashkuara. ”Mendoj se ekziston një mundësi që Koreja e Veriut apo Iraku të mund ta bëjnë atë gabim e të nxisin një luftë kundër Shteteve të Bashkura apo aleatëve tanë. E në këto rrethana, do të doja që një sistem mbrojtjeje të siguronte aleatët në rajon, të siguronte amerikanët, kongresin, si dhe të na siguronte se ne i kemi në dorë të gjitha mundësitë, madje edhe të përmbysin një regjim armik, po qe e nevojshme. Kinës i duhet që të mësohet me pranimin e faktit se ne kemi një interes të ligjshëm në këtë lloj arsenali mbrojtës. Do të doja që të bëheshin përpjekje për të punuar me këto dy vende: Rusinë dhe Kinën. Por, në fund të fundit, ne jemi të përgatitur të krijojmë një mbrojtje tonën edhe pa marrë parasysh ndonjë traktat.”

Frank Gaffney i Qendrës për Politikën mbi Sigurimin thotë se, më tepër se sa nxitja e një gare të re armatimi, në radhë të parë, sistemi i mbrojtjes do të shkurajojë vendet për prodhimin e raketave balistike.

XS
SM
MD
LG