Lidhje

Nato vendos të mërkurën për misionin në Maqedoni - 2001-08-14


Këshilli i Natos e shtyu për nesër vendimin për dërgimin e misionit në Maqedoni për çarmatosjen e luftëtarëve shqiptarë. Zyrtarët e Natos në Bruksel thonë se ambasadorët e 19 vendeve të aleancës kërkuan kohë për t’u konsultuar me qeveritë e tyre. Zyrtarët thanë se miratimi i vendimit për fillimin e misionit paqeruajtës në Maqedoni do të miratohet automatikisht nesër në se asnjë vend nuk kundërshton deri nesër para orës 12 sipas orës së Brukselit.

Po sot komandanti suprem i NATO-s gjenerali Joseph Ralston informoi aleancën mbi gjendjen e sigurisë në Maqedoni. Gjenerali Ralston ishte dje në Maqedoni për disa orë për ta parë vetë situatën nga afër.

Një ekip pararojë prej 400 ushtarësh të NATO-s nën komandën britanike, ka filluar të shpërndahet në pjesën veriore të Maqedonisë për t’i informuar luftëtarët lidhur me planet për çarmatimin e tyre. NATO ka thënë se se do të dislokojë një numër prej 3 mijë e 500 paqeruajtësish për mbledhjen e armëve në pikat e grumbullimit, me t’u siguruar për zabtimin siç duhet të armëpushimit.

Ushtria Çlirimtare Kombëtare ra dakord t’ia dorëzojë armët NATO-s, pas firmosjes së marrëveshjes së paqes më 13 gusht nga udhëheqësit politikë të maqedonasve dhe shqiptarëve.

Ditët e fundit janë zhvilluar një numër përleshjesh midis ushtarëve maqedonas dhe disa grupeve të tjera shqiptarësh të armatosur, të cilët janë zotuar se do t’i vazhdojnë luftimet, pavarësisht nga nënshkrimi i marrëveshjes së paqes.

XS
SM
MD
LG