Lidhje

Kosovë: UNMIK-u dhe KFOR-i të kënaqur por edhe të rezervuar për marrëveshjen e paqes në Maqedoni - 2001-08-14


Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes në Maqedoni kufijt e saj me Kosovën vazhdojnë të jenë të mbyllur për qytetarët e kësaj të fundit, ndërsa vlerësimet janë shumë të rezervuara. Zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara pohojnë se ende nuk dinë nëse duhet festuar apo jo nënshkrimin e marrëveshjes, duke pasur parasysh, siq thuhet, rrugën e gjatë deri në zbatimin e saj. Zëdhënësja e këtij misioni Suzan Manuel, tha se nënshkrimi i marrëveshjes është vetëm hapi i parë drejt vendosjes së paqes në këtë ish Republikë Jugosllave. Megjithatë ajo shfaqi shpresën se kjo do të ndikojë në ndryshimin e marrëdhënive ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës të cilat ishin dëmtuar shumë edhe për shkak të akuzave që kanë ardhur nga Shkupi zyrtar ndaj autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë për shkak të siq thuhet lejimit që Kosova të jetë bazë e veprimit të kryengritësve shqiptarë. Zonja Manuel tha se “ishte e cuditshme që akuzat e tilla erdhën pak para nënshkrimit të marrëveshjes, për të shtuar së zyrtarëve maqedonas u është dhënë përgjigja nëpërmjet kanaleve diplomatike se nuk ka pasur depërtim të luftëtarëve nga Kosova e aq më pak të pjestarëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Edhe forcat paqërujatëse u shprehën të kënaqura me arritjen e marrëveshjes të cilën zëdhënësi i tyre Howard Rhoades e quajti shumë të rëndësishme ndërsa u bëri thirrje të dyja palëve në këtë ish Republikë Jugosllave që të përmbahen nga cdo veprim që do të mund të dëmtonte armëpsuhimin. Ai tha se “KFOR-i do të vazhdojë më operacionet e tij për të penguar vijat e furnizimit të ekstremistëve ne funksion të nxitjes së procesit të vendosjes së qëndrueshmërisë në këtë rajon. Megjithatë ai tërhoqi vërejtjen se është ende herët të thuhet se paqja është arritur, por ky është një hap i mirë”.

Autoritetet shfaqën shpresën se nënshkrimi i marrëveshjes do të ndikojë edhe në shfuqizimin e vendimit të palës maqedonase për mbylljen e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Por gjithsesi njerzit që më së shumti kanë varur shpresat tek marrëveshja janë mbi 50 mijë persona të zhvendosur nga kjo ish Republikë Jugosllave të cilët kanë kërkuar strehim në Kosovë. Mirëpo gjykuar në bazë të zhvillimeve aktuale, duket se ata do të detyrohen të presin megjithatë ditë më të mira…

XS
SM
MD
LG