Lidhje

Bush dhe Blair përshëndesin marrëveshjen në Maqedoni - 2001-08-14


Presidenti Bush dhe kryeministri britanik, Tony Blair, përshëndetën nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në Maqedoni. Presidenti Bush, duke komentuar nga ferma e tij në Crawford të shtetit Texas, e cilësoi marrëveshjen si një shenjë të mirë, por shtoi se çarmatimi i luftëtarëve shqiptarë është i domosdoshëm për të arritur paqen.

Përveç kësaj, Shtëpia e Bardhë bëri një deklaratë, në të cilën vlerësonte presidentin maqedonas, Boris Trajkovski. Në deklaratë thuhej se marrëveshja e djeshme do të forconte demokracinë në Maqedoni dhe do të ndihmonte në realizimin e aspiratave politike të të gjithë qytetarëve maqedonas. Edhe kryeministri Tony Blair mirëpriti marrëveshjen, duke e cilësuar si një hap të madh përpara. Zoti Blair njoftoi se forcat e NATO-s të udhëhequra nga trupat britanike do të dislokohen në Maqedoni për të grumbulluar armët dhe municionin.

Edhe Rusia e përshëndeti marrëveshjen e paqes të nënshkruar dje në Maqedoni, por shprehu skepricizëm nëse ajo do të çojë në një armëpushim të qëndrueshëm. Në një deklaratë të bërë sot nga Ministria e Jashtme e Rusisë thuhet se konflikti në Maqedoni e ka burimin në Kosovë, ku ekstremistët shqiptarë po përpiqen ta shtrijnë veprimtarinë e tyre terroriste në Maqedoni.

Zyrtarët e Moskës kanë sugjeruar në mënyrë të përsëritur se NATO-ja nuk ka bërë sa duhet për çarmatimin e kryengritësve kosovarë. Në deklaratën ruse shprehen shqetësime serioze se luftëtarët shqiptarë ndërmorrën sulme në Maqedoni edhe në kohën që po nënshkruhej marrëveshja.

Këshilltarët e NATO-s pritet të shkojnë sot në Maqedoni Këshilltarët e NATO-s pritet të shkojnë sot në Maqedoni për të bërë planet për vendosjen e trupave paqeruajtëse në bazë të marrëvehsjes së nënshkruar dje. Marrëveshja e nënshkruar nga udhëheqësit politikë shqiptarë dhe maqedonas ka për qëllim që t’u jepet fund luftimeve të gjashtë muajve të fundit.

NATO-ja ka ofruar të dërgojë 3 mijë e 500 trupa paqeruajtëse në Maqedoni për 30 ditë për të mbledhur dhe shkatërruar armët e grupeve të armatosura shqiptare që kanë luftuar me trupat qeveritare. Por aleanca ka thënë se nuk do të dislokojë trupa në Maqedoni para se të ndalojnë luftimet dhe grupet e armatosura shqiptare të bien dakord të lënë armët. Këshilltarët e NATO-s duhet më parë të noftojnë se armëpushimi po respektohhet.

Marrëveshja e paqes parashikon kryerjen e reformave për t’u njohur shqiptarëve të Maqedonisë më shumë të drejta, duke përfshirë statusin zyrtar të gjuhës shqipe dhe punësimin e më shumë shqiptarëve në forcat e policisë kombëtare. Parlamenti i Maqedonisë duhet ta ratifikojë marrëveshjen brenda 45 ditësh. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Roberson, i cili morri pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, tha se procesi i çarmatimit mund të kryhet edhe para se parlamenti maqedonas ta ratifikojë atë. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e pëshëndeti marrëveshjen dhe u bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë që të dënojnë vazhdimin e dhunës.

XS
SM
MD
LG