Lidhje

Bush përshëndet Trajkovskin - 2001-08-15


Presidenti Bush u shpreh pozitivisht për marrëveshjen e paqes në Maqedoni. Ai i telefonoi dje presidentit maqedonas, Boris Trajkovski, dhe e përgëzoi atë personalisht. Presienti Bush thotë se zoti Trajkovski ka treguar kurajo dhe rol udhëheqës gjatë bisedimeve të gjata që çuan në një marrëveshje politike.

Në një deklaratë me shkrim, të publikuar pas bisedës së tyre telefonike, zoti Bush shprehet veçse me fjalë të ngrohta për presidentin maqedonas. Ai e quajti Boris Trajkovskin mik dhe ofroi përkrahjen tij pa rezerva ndaj përpjekjeve për sigurimin e paqes dhe vënien e Maqedonisë në rrugën drejt rimëkëmbjes.

Presidenti Bush tha se marrëveshja e nënshkruar të hënën nga udhëheqësit shqiptarë dhe maqedonas është premtim për forcimin e demokracisë dhe shmang luftën civile, ndërkohë që mbron tërësinë tokësore të Maqedonisë dhe unitetin politik. Ai tha se tani i takon asamblesë maqedonase të miratojë amendamentet kushtetuese dhe ligjet e duhura për zbatimin e marrëveshjes.

Marrëveshja parashikon përfundimin e kryengritjes gjashtëmujore e cila ka kërcënuar qendrueshmërinë në rajon. Zoti Bush foli rreth rrezikut të një konflikti më të gjerë gjatë vizitës që ai u bëri muajin e kaluar trupave amerikane në Kosovë. Në komentet e djeshme me shkrim lidhur me marrëveshjen, presidenti iu përmbajt kësaj teme. Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë kategorikisht kundër atyre që ai i quajti “ekstremistë të armatosur” të cilët janë përpjekur ta mbajnë peng demokracinë në Maqedoni.

Presidenti Bush tha se është koha që kryengritësit t’ua dorëzojnë Natos armët e tyre. Ky koment mund t’i jetë referuar një zotimi të bërë nga luftëtarët shqiptarë para disa orësh, të cilët thanë se janë gati të dorëzojnë armët e tyre.

XS
SM
MD
LG