Lidhje

Protestat kundër globalizimit - 2001-08-16


Policia në Washington parashikon se takimi i Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm, mund të tërheqë më shumë se 20 mijë protestues kundër globalizimit. Mijëra demonstrues u mblodhën për një takim të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Washington para 18 muajsh, kur lëvizja kundër globalizimit ishte më e vogël dhe mjetet e informimit nuk i kushtonin aq shumë vëmendje kësaj çështjeje.

Gjatë 2 muajve të fundit, protestuesit ndërprenë një takim të Bashkimit Evropian në Suedi dhe një takim ekonomik të nivelit të lartë në Itali.

Nga frika e demonstratave masive dhe akteve të dhunës, policia e Washingtonit bindi Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar që takimi nga fundi i shtatorit të vazhdojë vetëm dy ditë dhe jo një javë, siç ishte planifikuar më parë.

Organizatorja veterane e protestave, Njoki Njehu, e të ashtuquajturit Rrjet për Drejtësinë Ekonomike Globale, thotë se protestuesit kanë kërkesa të veçanta për Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe për Bankën Botërore. “Nuk është e mjaftueshme që të shkurtohen takimet nga një javë në dy ditë. Në qoftë se borxhet e botës së tretë nuk anullohen, në se vazhdojnë të zbatohen politikat e përshtatjes strukturore dhe në se takimet nuk janë të hapura për publikun dhe median, atëhere asgjë nuk ka ndryshuar. Sepse në rast se demonstratat nuk janë rreth takimeve, atëhere ato janë rreth politikave dhe praktikave të institucioneve.”

Zonja Njehu thotë se sindikatat e punëtorëve amerikanë po mbështesin thirrjen për protesta. Ajo thotë se FMN-ja dhe Banka Botërore janë instrumente të vendeve të industrializuara për të mbizotëruar botën. Zonja Njehu kërkon anullimin e plotë të pagimit të borxheve për vendet e varfëra dhe i cilëson si të pamjaftueshme masat e zbatuara deri tani për lehtësimin e tyre.

Zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore thonë se solidarizohen me kërkesat e protestuesve dhe po i përshtasin politikat e tyre në atë mënyrë që të ndihmojnë vendet në zhvillim për të kapërcyer varfërinë dhe për të shlyer borxhet.

Por thirrjet e protestuesve janë të ndryshme. Grupi organizator bashkon zërin me studentë dhe të rinj të tjerë për të akuzuar organizatën ekonomike botërore se po financon projekte të mëdha që ndotin dhe e prishin jetën e të varfërve.

Globalizimi, proces për një treg më të lirë dhe me prirje për t’u shtrirë, është identifikuar si një proces thelbësisht i padrejtë dhe që favorizon vendet e pasura. Në përpjekje për të zgjeruar lëvizjen e tyre, organizatorët e protestave po përgatiten për një javë seminaresh, që do të theksojnë nevojën për të luftuar diskriminimin gjinor, racor, dhe klasor si dhe urrejtjen ndaj homoseksualëve.

XS
SM
MD
LG