Lidhje

Zbatimi i marrëveshjes- kusht për çarmatosjen e luftëtarëve shqiptarë - 2001-08-17


Udhëheqësi politik i UCK-së Ali Ahmeti tha se çarmatosja e luftëtarëve shqiptarë do të varet nga shpejtësia me të cilën qeveria maqedonase do të verë në zbatim reformat. Ndërkohë, zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit tha në Uashington se në kontingjentin ushtarak që do të dërgohet në Maqedoni do të marrin pjesë disa qindra trupa amerikane.

Në kodrat mbi Tetovë, qindra pjestarë të UÇK-së presin arritjen e trupave trupave të Natos që duhet të bëjnë çarmatimin e tyre.

Armëpushimi në Maqedoni në përgjithësi po respektohet dhe, tani për tani, luftëtarët shqiptarë duken përgjithësisht të qetë.

Por udhëheqësi politik i UCK-së Ali Ahmeti thotë se çarmatosja e luftëtarëve shqiptarë do të varet nga shpejtësia me të cilën qeveria maqedonase do të verë në zbatim reformat sipas marrëveshjes së nënshkruar javën e kaluar.

Zoti Ahmeti u intervistua pak para se në një postbllok të Tetovës të vritej një polic, rreth 6 kilometra larg rrëzës së malit. Incidenti ndodh në prag të arritjes së forcës pararojë të Natos.

Trupat e Natos do të fillojnë të arrijnë në Maqedoni sot me synimin për të vënë në zbatim planin e paqes.

Por dislokimi i plotë i trupave të Natos do të varet nga respektimi i armëpushimit të tanishëm. Luftëtarët shqiptarë thonë se ata i kanë pushuar veprimet luftarake por akuzojnë qeverinë maqedonase për provokime të vazhdueshme.

Forca e Natos prej 3500 ushtarësh që do të arrijë në Maqedoni do të ketë për detyrë të grumbullojë armët e luftëtarëve shqiptarë.

“Ne presim të arrijë në aeroportin e Shkupit kontigjenti i parë i trupave pararojë britanike, ndërsa gjatë fundjavës mund të arrijnë rreth 400 trupa, të cilët do të përbëjnë shtabin e operacionit,” thotë zëdhënësi i Natos në Maqedoni, coloneli Peter Altmannsperger.

Ndërsa në kazermat e Colchesterit të Anglisë Lindore, komandanti i Brigatës së 16 Ajrore, Barney White-Spunner, tha se arsyeja e nisjes së tij për në Shkup ishte të shikonte kushtet e atjeshme dhe pastaj të informohej Natoja nëse është apo jo i mundur dislokimi i forcës për grumbullimin e armëve. “Ekipi i pararojës britanike do t’i japë Natos rekomandime se sa e sigurt është gjendja për dislokimin e plotë të saj dhe sa sa armatime do t’i duhen saktësisht trupave të saj.”

Operacioni i Natos do të varet nga respektimi i armëpushimi dhe është planifikuar të zgjasë vetëm 30 ditë.

Natoja ka deklaruar se do të tërhiqet nëse luftimet rifillojnë. Komandanti i brigatës White-Spunner tha se së bashku me kolegët e tij, ai do të vlerësojë nëse armëpushimi është apo jo duke u respektuar dhe nëse dy palët janë të gatshme t’i përmbahen marrëveshjes që u nënshkrua të premten e kaluar midis qeverisë maqedonase dhe partive kryesore politike shqiptare.

“Sidomos, tha White-Spunner, ne do të shikojmë se sa të angazhuar janë grupet e luftëtarëve shqiptarë për t’ju përmbajtur marrëveshjes. Nëse këto kushte plotësohen, atëhere ne do ta këshillojmë Naton që të bëjë dislokimin e plotë dhe do të varet nga Këshilli i Natos nëse do të fillojë operacionin për mbledhjen e armëve. Kjo, tha ai, ofron një shans të vërtetë për të ardhmen e Maqedonisë.”

Sipas marrëveshjes së 13 gushtit, luftëtarët shqiptarë do të dorëzojnë armët të cilat ata i përdorën gjatë kësaj kryengritjeje të filluar 6 muaj më parë, kryengritje e cila rrezikoi të ndizte shkëndijat e një lufte tjetër ballkanike.

Dje në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Philip Reeker informoi gazetarët për gjendjen në Maqedoni dhe tha se Shtetet e Bashkuara e përshëndesin njoftimin e presidentit Boris Trajkovski për një plan çmobilizimi, i cili përfshin një komponent ri-integrimi.

“Këta janë elementë të rëndësishëm të procesit të paqes, në mënyrë që populli i Maqedonisë, të gjithë qytetarët e saj të mund ta kapërcejnë konfliktin dhe të ecin përpara në frymën e pajtimit për përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike dhe sociale.”

Ai u tha gazetarëve se në kontingjentin ushtarak që do të dërgohet në Maqedoni do të marrin pjesë disa qindra trupa amerikane. Këto tha ai, do të jenë kryesisht forca logjistike, si njësi komunikacioni dhe mjeksore, dhe do të merren në pjesën më të madhe nga forcat që tashmë ndodhen në rajon.

XS
SM
MD
LG