Lidhje

Studim mbi shtimin e popullsisë - 2001-08-18


Një studim i ri arrin në përfundimin se ritmet e shtimit të popullsisë së botës mund të bien më shpejt se sa pritej. Aktualisht në botë jetojnë mbi 6 miliardë njerëz. Sipas përllogaritjeve të studimit të ri popullsia mund të arrijë në 9 miliardë vetë gjatë 70 vjetëve të ardhshëm.

Studimi arrin në përfundimin se gjatë shekullit të ardhshëm ritmet e shtimit të popullsisë së botës do të bien. Popullsia do të bjerë në 8 miliardë e 400 milion deri në vitin 2100. Studiuesit thonë se arsyeja kryesore e kësaj rënieje është ula e aftësive riprodhuese në mbarë botën. Rezultatet e studimit u bënë publike në revistën “Nature.”

Studimi u krye nga shkencëtarët e Institutit Ndërkombëtar për Sistemet e Aplikuara Analitike në Laxenburg të Austrisë, të cilët thonë se kanë krijuar një program kompiuterik që bën përllogaritje mbi popullsinë. Për të nxjerrë përfundimet e tyre, ata përdorën të dhënat e fundit mbi ritmet e lindjeve dhe vdekjeve si dhe lëvizjet e popullsisë nga një rajon në tjetrin.

Studimi i ri arrin në përfundimin se shtimi i popullsisë gjatë këtij shekulli do të përqëndrohet kryesisht në vendet në zhvillim. Për shembull, popullsia në disa pjesë të Afrikës pritet të rritet në masën 100 për qind gjatë 20 vjetëve të ardhshëm. Studiuesit thonë se një rritje e tillë është e mundshme, megjithëse epidemia vdekjeprurëse e Sidës e ka shkurtuar jetëgjatësinë në disa pjesë të Afrikës.

Studimi vë në dukje se në Kinë dhe në Azinë e Jugut popullsia ka ruajtur pothuajse të njëjtat shifra si vitin e kaluar. Por nga llogaritjet del se nga mesi i shekullit Kina do të ketë një popullsi prej rreth 700 milion më pak se Azia e Jugut. Studimi flet për pakësimin e popullsisë në Evropën Lindore si dhe në pjesën evropiane të ish-Bashkimit Sovjetik. Po sipas studimit, popullsia mesatare në këto rajone ka prirje të pakësohet gjatë 20 vjetëve të ardhshëm.

Një ndër përfundimet e studimit ishte rritja e përqindjes së popullsisë me moshë 60 vjeç e sipër. Aktualisht, të moshuarit përbëjnë 10 për qind të popullsisë së botës por pritet që ata të zenë 34 për qind gjatë 100 vjetëve të ardhshëm. Ekspertët thonë se kjo prirje mund të krijojë probleme. Një ndër rezultatet e saj negative do të jetë kostoja e lartë e kujdesit për të moshuarit në vendet në zhvillim.

XS
SM
MD
LG