Lidhje

Analistët mbi marrëveshjen e paqes në Maqedoni - 2001-08-21


Megjithëse në Maqedoni është nënshkruar marrëveshja e paqes dhe Natoja përgatitet të dërgojë 3,500 trupa për të mbledhur armët e luftëtarëve shqiptarë, disa analistë politikë mendojnë se mundësia për një luftë civile në vend mbetet e madhe.

Në një raport të Grupit Ndërkombëtar të Krizave me qendër në Bruksel thuhet se është e pamundur që vetëm marrëveshja politike ta mbajë Maqedoninë larg luftës civile nëqoftëse komuniteti ndërkombëtar nuk bën përpjekje të tjera të mëdha për këtë qëllim.

Martin Sletzinger, drejtor i studimeve për Evropën Lindore pranë Qendrës Woodrow Wilson në Uashington thotë se marrëveshja e paqes është vetëm fillimi i një procesi të ndërlikuar dhe afatgjatë. Së pari, thotë ai, të gjitha palët duhet të bien dakord për një armëpushim të vërtetë. Së dyti, sipas tij, Ushtria Çlirimtare Kombëtare duhet të respektojnë kushtet për çarmatimin e tyre. Pastaj, thotë ai, brenda 45 ditësh, parlamenti maqedonas duhet të ratifikojë marrëveshjen e 13 gushtit me të paktën dy të tretat e votave. “Pas kësaj, shpjegon analisti, mbetet problemi i vullnetit politik afatgjatë i palëve për të përqafuar marrëveshjen. Ne shikojmë se te pala maqedonase ka shumë pakënaqësi dhe shqetësim se, kjo marrëveshje, edhe pse e dëshirueshme nga pikëpamja e ndalimit të luftimeve, ajo është thjesht një përpjekje për të veshur nga jashtë problemet e thella politike. Pala maqedonase i shikon këto kërkesa për të drejta politike dhe njerëzore si një mbulesë që një ditë mund të shndërrohen në kërkesa territoriale e ndoshta edhe për ndarje.”

Zoti Sletzinger thotë se në vështrimin afat-shkurtër marrëveshja do të respektohet por ai nuk mund ta thotë me siguri se çdo të ndodhë më tej. Ai mendon se forca e Natos që do të hyjë në Maqedoni duhet të mbetet atje, qoftë edhe si mbështetje politike për integritetin e vendit. Gjithashtu, shpjegon ai, kjo forcë mund të përdoret edhe si mjet politik për t’i pajtuar palët sa herë që ato mund të kenë probleme me marrëveshjen politike të arritur.

Sipas raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, besimi reciprok midis shqiptarëve dhe maqedonasve është mjaft i vogël. Secila nga palët ka paraqitur një sërë kërkesash para se të fillojë të zbatojë angazhimet e veta. Luftëtarët shqiptarë kanë thënë se nuk do të çarmatosen pa u ratifikuar marrëveshja nga pala maqedonase. Ndërsa pala maqedonase thotë se nuk do ta ratifikojë marrëveshjen nëse UÇK-ja nuk jep prova të vullnetit të mirë duke dorëzuar armët. Veç kësaj, Natoja ka deklaruar se trupat e saj do të grumbullojnë armët për një periudhë prej vetëm 30 ditësh dhe jo deri sa atje të jetë vendosur një armëpsuhim i qendrueshëm. Presidenti i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan Ilir Zherka, me qendër në Uashington, thotë se si udhëheqësit politikë shqiptarë ashtu edhe UÇK-ja janë të angazhuar për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. “Shqiptarët e kanë pranuar marrëveshjen me gjithë zemër dhe në të gjitha pikat e saj. Përfaqësuesi politik i UÇK-së dhe komandanti i saj ushtarak që të dy e kanë përkrahur publikisht marrëveshjen. Për shqiptarët, kjo marrëveshje përfaqëson një rast të vërtetë për të realizuar reforma të rëndësishme në Maqedoni.”

Zoti Zherka i quan të pajustifikuara shqetësimet se UÇK-ja mund të mos i dorëzojë armët. Në fakt, thotë ai, shqiptarët janë të shqetësuar se qeveria maqedonase mund të mos e zbatojë marrëveshjen, sepse ajo i ka shkelur armëpushimet në të kaluarën. Zoti Zherka thotë se UÇK-ja është treguar e palëkundur në dëshirën e saj për dialog dhe për të dorëzuar armët, por qeveria, sipas tij, mund të ketë një plan të fshehtë. Zoti Zherka është i bindur se UÇK-ja do t’i dorëzojë armët, por problemi i vetëm, sipas tij është se periudha e grumbullimit të armëve prej 30 ditësh nuk mjafton. Ljubomir Frçkovski, ish ministër i jashtëm i Maqedonisë, ishte këshilltar i presidentit Trajkovski gjatë bisedimeve të Ohrit. Ai e quan marrëveshjen ”dinjitoze” dhe thotë se ajo e ruan karakterin e njësuar të vendit, duke zgjeruar njëkohësisht të drejtat e shqiptarëve në përdorimin e gjuhës. “Kjo është një marrëveshje pak a shumë e drejtë. Tani ne kemi një ujdi politike, por zbatimi i saj do të kërkojë përpjekje të mëdha nga ana e komunitetit ndërkombëtar, sidomos në procesin e çarmatimit. Ky proces, thotë zoti Frçkovski, duhet të jetë real dhe jo teatral, siç ndodhi në Kosovë.”

Zoti Frçkovski thotë se parlamenti do ta ratifikojë marrëveshjen brenda periudhës së kërkuar prej 45 ditësh. Ai shton se përsa i përket palës maqedonase, ajo nuk ka dyshime për marrëveshjen, por më shumë probleme mund të nxjerrë pala shqiptare. Ndoshta jo udhëheqësit politikë që e nënshkruan marrëveshjen por komandantët e ndryshëm të luftëtarëve shqiptarë të cilët janë jashtë kontrollit, thotë zoti Frçkovski. Ai thekson se komuniteti ndërkombëtar duhet të tregohet më i guximshëm dhe më i vendosur se sa në Kosovë.

XS
SM
MD
LG