Lidhje

Meta: qeveria e re do të jetë qeveri koalicioni - 2001-08-22


VOA: Zoti kryeministër ju sapo keni siguruar një mandat të ri. Cilat janë objektivat dhe synimet tuaja afatshkurtra dhe a mendoni se sot jeni në një pozitë më të mirë për të zgjidhur problemet kryesore me të cilat ballafaqohet Shqipëria?

IM: Tashmë që pas verdiktit të elektoratit shqiptar më 24 qershor, unë dhe Partia Socialiste si forca kryesore qeverisëse në vend, e votëbesuar bindshëm, jemi shumë të qetë dhe më të sigurtë për të përballuar sfidat e reja që ka përpara vendi, veçanërisht procesi i integrimit evropian të Shqipërisë i cili është tashmë një proces pak si mbrapa dhe që me vendimin e samitit të Goteborgut ka nisur rrugën e tij, dhe në nje plan afatshkurtër synimi ynë është hapja e negociatave dhe përfundimi i tyre për marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe njëkohësisht një synim më afat-mesëm është përgatitja e Shqipërisë dhe plotësimi i kushteve për një aplikim për anëtarësim të plotë në katër-pesë vitet e ardhshme.

VOA: Zoti kryeministër, në çfarë kritere do të bazoheni për të krijuar kabinetin e ri? Zyrtarë të qeverisë që kryesoni deri tani janë kritikuar për krijimin e klaneve, për nepotizëm dhe abuzim me pushtetin si edhe lidhje me krimin e organizuar?

Meta: Dëshiroj të theksoj se nuk ka asnjë fakt apo asnjë provë serioze për anëtarë të qeverisë që të ketë akuza të tilla. Është e qartë se në jetën politike shqiptare prej vitesh bëhen akuza të cilat janë për qëllime politike jo vetem në planin midis pozitës dhe opozitës por jo rrallë herë siç e pamë edhe gjatë zhvillimeve të fundit të Partisë Socialiste, edhe vetë brenda një force politike. Kështu që unë do të punoj që përsa i takon përzgjedhjes së kabinetit të ri qeveritar, të punoj për të siguruar elementë të rendësishëm të vazhdimësisë përsa i takon reformave tashmë të ndërmarra dhe të asistuara edhe nga partnerët ndërkombëtarë por njëkohësisht edhe për të inkurajuar elementë të rinj për t’u dhenë mundësi, për të provuar aftësitë e tyre njëkohësisht për t’i dhënë një dimension dhe një cilësi të re qeverisjes së vendit. Natyrisht që qeveria e re do të jetë një qeveri koalicioni dhe për këtë do të bisedohet edhe me partnerët tanë.

VOA: Zoti kryeministër në fjalimin që mbajtet dje pas votimit në takimin e Partisë Socialiste ju thatë se pas miratimit nga parlamenti ju shpresoni të bëheni kryeministër i gjithë shqiptarëve. Si shpresoni ta arrini këtë duke marrë parasysh marrëdhëniet aktuale me opozitën, kryesisht me partinë kryesore të opozitës, Partinë Demokratike?

IM: Une e kam shprehur qartë dëshirën për të bashkëpunuar me opozitën, si me opozitën kryesore, pra me Partine Demokratike të Shqipërisë ashtu edhe me opozitën e re, pra Partinë Demokratike të reformatorëve dhe natyrisht që shpresojme që të dyja këto forca politike dhe forca të tjera të cilat përfaqësojnë opozitën në parlamentin e ardhshëm t’i përgjigjen pozitivisht një ftese të tillë, të bashkëpunojmë për të përmirësuar më tej qeverisjen e vendit, në kuptimin e rritjes së rolit institucional te opozitës në këtë drejtim, dhe njëkohësisht për t’i dhëne të gjitha mundësite opozitës që edhe ajo të kontribuoje për sa i takon sfidave që ka Shqipëria përpara të cilat nuk janë vetëm sfida të maxhorancës por janë edhe sfida të opozitës dhe sfida të të gjithe shqiptarëve.

VOA: Zoti Meta a mendoni se do të vijë ndonjëherë koha në Shqipëri kur të dy forcat politike të sillen me njera-tjetren në menyrë më të civilizuar dhe më të pjekur:?

IM: Unë mendoj se koha ka ardhur dhe dëshiroj të shpreh vendosmërinë time për të ecur në këtë drejtim por njëkohësisht dëshiroj të theksoj se çdo përpjekje për të agravuar artificialisht marrëdhëniet midis dy forcave kryesore politike apo midis mazhorancës së qeverisë dhe opozitës është e tejkaluar dhe nuk mbështetet nga opinioni publik shqiptar dhe në këtë kuadër dua të theksoj se koha po kalon dhe ne nuk duhet ta humbasim këtë kohë.

VOA: Kritikët ju akuzojnë për një stil drejtimi autoritar dhe disa kanë shprehur shqetësim se tani që socialistët kontrollojnë si pushtetin qendror ashtu edhe ate vendor ju mund të abuzoni me pushtetin. Si u përgjigjeni kritikave të tilla?

IM: Dëshiroj të shpreh keqardhjen për këta kritikë siç e kam shprehur edhe dje, unë nuk drejtoj as me dorë të fortë as me dorë të butë, as me autoritarizëm dhe as me arbitraritet, drejtoj vetëm në menyrë isntitucionale, zbatoj vetëm kompetencat që më jep kushtetuta dhe ligji dhe dëshiroj të theksoj se këta lloj kritikësh nuk dëshirojnë forcimin e institucioneve në Shqiperi, nuk dëshirojnë forcimin e shtetit ligjor në Shqiperi të cilit une tashmë i jam përkushtuar.

XS
SM
MD
LG