Lidhje

Washingtoni dënon sulmin ndaj manastirit - 2001-08-22


Shtetet e Bashkuara dënuan shkatërrimin e një kishe historike ortodokse në Maqedoni, i cili thuhet se është bërë nga ekstremistë shqiptarë. Por zyrtarët amerikanë nuk mendojnë se sulmi kundër kishës dhe akte të tjera sporadike dhune ta vonojnë vendimin përfundimtar të Natos për dërgimin në Maqedoni të një force e cila do të merrej me çarmatimin e luftëtarëve shqiptarë.

Zyrtarët në departamentin e shtetit thonë se armëpushimi në Maqedoni po respektohet me gjithë ato që Washingtoni i quan incidente të kufizuara dhune. Zyrtarët parashikojnë se dërgimi i forcës së Natos do të bëhet shumë shpejt. Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë mbështetje logjistike për këtë forcë.

Mbrëmë, zëdhënësi i departamentit të shtetit, Phil Reeker, u bëri thirrje qeverisë maqedonase dhe kryengritësve shqiptarë të respektojnë armëpushimin që shoqëroi marrëveshjen e tyre politike. “Ne shprehim keqardhje në mënyrë kategorike për shkatërrimin e manastirit ortodoks në Leshak dhe dënojmë të gjitha aktet e shkatërrimit të objekteve kulturore dhe fetare. Autorëve të këtij akti të neveritshëm duhet t’u vijë turp. Ky është një manastir i vjetër dhe një shkatërrim i tillë është i patolerueshëm kudoqoftë në botë,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Sulmi kundër manastirit, për të cilin kryengritësit nuk marrin përsipër përgjegjësinë, u kritikua edhe nga sekretari i përgjithshëm i Natos, George Robertson, i cili u kërkoi maqedonasve që t’i rezistojnë çdo thirrjeje për hakmarrje.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ndërmjetësuan marrëveshjen politike të 13 gushtit të arritur në Ohër nga udhëheqësit kryesorë politikë shqiptarë dhe maqedonas.

Zyrtarët e administratës kanë thënë se trupat amerikane në gjirin e forcës së Natos nuk do të luajnë një rol të drejtpërdrejtë në operacionin e çarmatimin të luftëtarëve shqiptarë, por do të sigurojnë shërbime të tilla si mbështetje mjeksore, trasport me helikopterë dhe vëzhgim nga ajri me anë të avionëve të telekomanduar.

XS
SM
MD
LG