Lidhje

Jesse Helms do të dalë në pension në fund të mandatit aktual - 2001-08-22


Njoftohet se Senatori i Partisë Republikane, Jesse Helms, njëri ndër anëtarët më me ndikim dhe kontradiktor në Kongresin Amerikan gjatë viteve të fundit ka vendosur të dalë në pension në fund të mandatit të tij të tanishëm. Këtë vendim Zoti Helms do ta bëjë të ditur sonte në shtetin tij në Karolinën e Veriut.

Pritet që zoti Helms të thotë se ai nuk do të kërkojë të rizgjidhet, por do të thotë se do të largohet nga Senati më 2003 në fund të mandatit të tij të tanishem pas 30 vjet shërbimi në Kongresin amerikan. 79 vjeçari Helms i cili po ballafaqohet edhe me probleme shëndetsore ka humbur edhe postin e kryetarit të komisionit për marrëdhënje me jashtë kur demokratët fituan shumicën në senat. Por ai ende është njëri ndër zërat më të fuqishëm mbi çështjet e jashtme në Senatin Amerikan.

Senatori Helms është dalluar gjithnjë nga konservatorizmi i tij i patundur sidomos kur është fjala për çështje shoqërore siç janë e drejta e abortit dhe të drejtat e homoseksualëve. Ai është kundërshtar i fuqishëm i komunizmit. Ai u është kundërvënë për shumë vjet traktateve për kontrollin e armëve dhe ka qenë kritik i rreptë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por ai bashkoi zërin me senatorin demokrat Joseph Biden për të ndërmjetsuar në arritjen e një marrëveshjeje që Washingtoni të paguajë disa nga borxhet e tij ndaj kësaj organizate botërore. Në fillim të këtij viti, Zoti Helms u bëri thirrje kolegëve të tij që të miratojnë një shumë prej më se gjysmë miliard dollarësh për OKB-në por me kusht që organizata të bëjë disa reforma.

“Tani që shumica e këtyre kushteve janë plotësuar, unë besoj se Senati duhet ta shpërblejë OKB-në për përparimin e madh që ka bërë,” tha senatori Helms.

Zoti Helms ishte edhe në favor të shlyrjes së borxheve të disa vendeve në zhvillim dhe si për çudi krijoi njëfarë miqësie me këngëtarin e muzikës rock Bono. Dalja e tij në pension do ta bëjë edhe më të vështirë për republikanët për të marë përsëri nën kontroll Senatin në zgjedhjet e vitit të ardhshem.

Por ish kandidatja për president, Elizabeth Dole, e cila ka sherbyer në dy administrata të republikanëve dhe është me origjinë nga Karolina e Veriut mund të vërë kandidaturë për të zëvendsuar zotin Helms. Ai do njoftojë planet tij të ardhme sonte në një rrjet televiziv në shtetin e tij ku dikur ka punuar vetë si komentator.

XS
SM
MD
LG