Lidhje

Kalendari Historik i datës 25 gusht - 2001-08-25


Më 25 gusht 1950, presidenti Harry Truman nënshkroi urdhrin që qeveria të merrte nën kontroll dhe të administronte 195 hekurudhat e vendit. Presidenti Truman e nxori këtë urdhër si rrjedhojë e kërcënimeve për grevë nga 300 punonjës, që ishin anëtarë të sindikatave. Sindikatat e punëtorëve i urdhruan menjëherë anëtarët e tyre të bashkëpunonin me qeverinë. Presidenti Truman tha se edhe kërcënimet për grevë në sistemin hekurudhor do të dëmtonin prodhimin në fushën e mbrojtjes dhe do të vinin në rrezik ushtarët amerikanë që shërbenin në atë kohë në Luftën në Kore. Trupat ushtarake të transportit morën nën kontroll hekurudhat më 27 gusht, por drejtuesit e kompanive të hekurudhave vazhdonin faktikisht operimin e tyre. Në maj të vitit 1952, punëtorët ranë dakort të nënshkruajnë një kontratë të re me hekurudhat. Më 21 maj të atij viti, presidenti Truman ua ktheu zyrtarisht kontrollin e hekurudhave pronarëve të tyre.

Më 25 gusht 1918, Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuar filloi transportin ajror të postës. Megjithatë, dita e parë e transportit ajror u shndërrua në një ngjarje që i përngjiste më tepër një komendie pa zë se sa një funksioni të rëndësishëm qeveritar. Një pilot i ushtrisë, Togeri George Boyle, u ngrit nga një fushë aviacioni në afërsi të Shtëpisë së Bardhë në Washington, me një ngarkesë postare prej 63 kilogramësh. Por, pa dashur, ai u drejtua nga jugu në vend që të shkonte në qytetin e New Jorkut. Pas një farë kohe, avionit i mbaroi karburanti dhe ai u detyrua të zbriste në një fermë në Virxhinia. Fermeri nuk kishte karburant, dhe nuk mund ta furnizonte avionin e tij, prandaj piloti u detyrua të shkonte më këmbë në qytetin më të afërt, nga ku i telefonoi qendrës së tij. Një kamion ushtarak u dërgua në fermë për të marrë postën dhe Togerin Boyle. Më pas avioni u furnizua me karburant dhe u kthye në Washington. Togeri Boyle nuk u ngarkua me pilotimin e ndonjë aeroplani tjetër. Atij iu dha detyra të shpinte postën në Filadelfia të shtetit Pensilvania. Një tjetër pilot u ngarkua të dërgonte postën në New York.

XS
SM
MD
LG