Lidhje

Sa armë ka UÇK-ja? - 2001-08-26


Shifrat e qeverisë për armët e luftëtarëve shqiptarë që do të grumbullohen, kanë qenë disa herë më të larta se sa vlerësimi që Natoja i ka bërë arsenalit të UÇK. Zëdhënësi i aleancës, majori Barry Johnson, thotë se një arësye për një ndryshim kaq të madh ndërmjet shifrave të parashikuara nga Natoja dhe atyre të qeverisë është se planifikuesit e aleancës i llogarisin si një grup i veçantë municionet, siç janë për shembull predhat e mortajave.

Arritja e një marrëveshjeje për këtë çështje është e domosdoshme që misioni i Natos Essential Harvest të fillojë nesër. Rreth 5 mijë forca të Natos shpresojnë të grumbullojnë rreth një të tretën e armëve deri në fund të javës, përpara seancës së parë parlamentare që do të fillojë debatet për ratifikimin planit të paqes.

Sipas revistës britanike, Jane’s Defense Weekly, një studim i ekspertëve tregon se luftëtarët shqiptarë kanë rreth 8 mijë e 700 armë. Sipas kësaj reviste arsenali i tyre përbëhet nga 8 mijë pushkë e automatikë, 250 mitrolozë të rëndë, 200 pushkë me precizion, rreth 200 mortaja dhe 50 granada-hedhës, përfshirë raketa-hedhës tokë-ajër të tipit Stinger.

Si forcat maqedonase, ashtu edhe luftëtarët shqiptarë kanë rënë dakord të tërhiqen nga zonat e nxehta, në mënyrë që të lejojnë Naton të ngrejë pika të grumbullimit të armëve. Qeveria ka rënë dakord që të ndërpresë fluturimet e aeroplanëve apo helikopterëve ushtarakë në një brez të gjerë të Maqedonisë Veriore.

XS
SM
MD
LG