Lidhje

Kalendari historik i datës 27 gusht - 2001-08-27


Më 27 gusht 1900 në Havanë të Kubës, mjeku i Ushtrisë Amerikane, James Carroll, lejoi një mushkonjë të infektuar të ushqehej me gjakun e tij, në përpjekje për të izoluar bartësin e transmetimit të etheve të verdha. Carroll u sëmur rëndë nga ethet e verdha, duke ndihmuar kështu kolegun e tij, patologun e ushtrisë Walter Reed, të provojë se janë mushkonjat ato që transmetojnë sëmundjen shpesh herë vdekjeprurëse të etheve të verdha. Para këtij zbulimi, epidemitë e etheve të verdha ishin diçka e zakonshme në Jugun Amerikan dhe rajone të tjera tropikale dhe subtropikale në gjithë botën. Teoria e transmetimit të sëmundjes nga mushkonjat, e zhvilluar nga Walter Reed dhe anëtarët e grupit të tij, James Carroll, mjeku kuban, C.J. Finlay dhe Sekretari amerikan i Shëndetësisë, W.C. Gorgas, u hapën rrugën përpjekjeve të para për zhdukjen e mushkonjave dhe masave higjeno-sanitare, për të kontrolluar sëmundjen në Kubë. Gjysmë shekulli më vonë, më 1951 mikrobiologu amerikan, Max Theiler, u nderua me Çmimin Nobel për Mjekësinë, për studimet e tij mbi ethet e verdha dhe më së fundi për zhvillimin e një vaksine kundër kësaj sëmundjeje tek njerëzit. Më 27 gusht të vitit 1912 në Shtetet e Bashkuara u botua romani me aventura, Tarzani i Majmunëve, i autorit Edgar Rice Burroughs. Siç shkruante autori amerikan, Tarzani ishte djali i një lordi anglez, i cili vdiq gjatë një ekspedite gjuetie në Afrikë dhe djali u rrit nga majmunët. Libri mbi Tarzanin u bë një nga librat më të shitur dhe u pasua nga libra të tjerë rreth njeriut të xhunglës, që u quajt mbreti i majmunëve Mbi 25 milionë kopje të librit mbi Tarzanin, të përkthyer në më shumë se 50 gjuhë, u shitën në gjithë botën. Lidhur me aventurat e Tarzanit janë shkruar libra komikë, janë ndërtuar programe radio-televizive dhe janë xhiruar një varg filmash. Ish-kampioni olimpik në not, Johnny Weissmuller, u bë i famshëm për interpretimin e rolit të Tarzanit në disa filma të xhiruar ndërmjet viteve 1932 dhe 1948. Johnny Weissmuller vdiq në vitin 1984. Tarzani vazhdon të jetë akoma një personazh popullor i filmave kinematografikë.

XS
SM
MD
LG