Lidhje

Ministri i Jashtëm francez kritikon Bushin për izolacionizëm - 2001-08-29


Ministri i jashtëm, Hubert Vedrine, u tha diplomatëve francezë të mbledhur në Paris së Franca është e vendosur që të përqafojë një qendrim më human dhe të kontrolluar drejt globalizimit ekonomik, me gjithë politikën izolacioniste amerikane. Komentet e zotit Vedrine përputhen me qendrimin e shumë francezëve ndaj politikës amerikane lidhur me çështje të tilla si ngrohja globale, përdorimi i prodhimeve bujqësore të trajtuara gjenetikisht apo sistemi i mbrojtjes nga raketat. Të hënën, presidenti francez, Jacques Chirac tha se planet amerikane për instalimin e sistemit të mbrojtjes kundër raketave nuk arrijnë t’i përgjigjen çdo rreziku. Ai tha se mbrojtja kundër raketave duhet të diskutohet, jo vetëm ndërmjet amerikanëve dhe rusëve, por ndërmjet të gjitha fuqive bërthamore.

Shumë francezë janë gjithashtu kundër prodhimeve të trajtuara gjenetikisht, të cilat pranohen në një masë më të madhe në Shtetet e Bashkuara. Fermeri francez José Bové, i cili njihet për luftën kundër globalizimit, dhe përkrahësit e tij, kanë asgjësuar qindra bimë dhe kafshë që analizohen në qendrat franceze të kërkimeve. Akteve të tyre të revoltës i është bërë shumë publicitet në media. Edhe disa forca në koalicionin qeveritar francez, veçanërisht Partia e Gjelbër, kanë shprehur skepticizëm lidhur me prodhimet bujqësore të trajtuara gjenetikisht. Franca, ashtu si vende të tjera evropiane, ka shprehur shqetësim ndaj vendimit të administratës së presidentit Bush për të kundërshtuar protokollin e Kiotos për ngrohjen globale. Shqetësimet ndaj një globalizimi pa fre vazhdojnë të jenë ndër temat kryesore të mediave franceze. Partia Komuniste Franceze ka bërë thirrje për një politikë të re të majtë ndaj globalizimit. Kryeministri socialist, Lionel Jospin, ka ngritur një ekip këshilltarësh për rregullimin ekonomik dhe thuhet se po shkruan një libër për këtë temë. Frika nga një kapitalizëm botëror kaotik është shprehur në mbarë spektrin politik francez. Presidenti konservator francez dhe kryeministri socialist shihen si rivalë të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit tjetër. Por megjithëse zoti Jospin dhe presidenti Chirac janë grindur për një gamë çështjesh të brendshme, që të dy kanë shprehur simpati ndaj shqetësimeve kundër globalizimit.

XS
SM
MD
LG