Lidhje

Kalendari historik i datës 29 gusht - 2001-08-29


Më 29 gusht 1919 Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi ligjin Jones, që ripohonte zotimin amerikan, për t’u dhënë pavarësinë Filipineve. Filipinasit ishin futur nën sundimin amerikan, qëkurse Shtetet e Bashkuara fituan luftën kundër Spanjës në vitin 1898 dhe ia morën këtë ishull shtet të Paqësorit Spanjës. Kryengritësit filipinas, të udhëhequr nga Amilio Aguinaldo, kishin filluar një luftë gueriljesh për pavarësinë e tyre që nga viti 1899. Ligji Jones i miratuar nga Kongresi i njihte si të drejta kërkesat e revolucionarëve dhe kërkonte të përshpejtohej koha kur Filipinet mund të fitonin vetëqeverisjen. Në bazë të ligjit Shtetet e Bashkuara do të njihnin pavarësinë e Filipineve sapo në këtë vend të krijohej një qeveri e qendrueshme. Ligji po ashtu u njihte meshkujve filipinas të drejtën elektorale për të votuar për zgjedhjen e senatit. Senati do të zëvendësonte Komisionin Amerikan, i cili administronte Filipinet. Pas vënies në jetë të ligjit Jones, filipinasit ditën t’i administrojnë në mënyrë të efektshme problemet e tyre të brendshme.

Më 29 gusht 1968 Hubert Humphrey pranoi emërimin e Partisë Demokrate si kandidat për president. “Sonte i them këtij Kuvendi të madh dhe popullit tonë të madh se jam i gatshëm të drejtoj fatet e këtij vendi, deklaroi Humphrey.” Në vitin 1968 Partia Demokrate ishte e përçarë thellë ndërmjet përkrahësve të zotit Humphrey, që në atë kohë ishte nënpresident dhe atyre kandidatëve që kundërshtonin luftën në Vietnam, si senatori Eugene McCarthy dhe senatori që u vra më vonë, Robert Kennedy. Disa delegatë në Kuvendin e Çikagos, si edhe disa demonstrues jashtë sallës së Kuvendit, e shihnin zotin Humphrey si simbol dhe mbështetës të politikës së ndjekur ndaj Vietnamit nga presidenti Lindon Johnson, të cilit i përfundonte mandati. Protestuesit u përleshën me policinë e Çikagos dhe secila palë akuzonte tjetrën si shkaktare të dhunës. Disa historianë thonë se pas përçarjeve dhe dhunës në Kuvendin e Çikagos, Partia Demokrate nuk mundi ta marrë veten në kohë për zgjedhjet e nëntorit, të cilat Hubert Humphrey i humbi me një diferencë të vogël ndaj kandidatit republikan, Riçard Nikson.

XS
SM
MD
LG