Lidhje

Fillon me vonesë debati në parlamentin maqedonas - 2001-08-30


Grupe protestuesish u përpoqën të pengonin parlamentin e Maqedonisë që të fillonte sot debatin mbi reformat që kanë si qëllim parandalimin e luftës civile.

Protestuesit këmbëngulin që kushtetuta të mbetet e pa ndryshuar. Ata bllokuan hyrjet e parlamentit në Shkup, në përpjekje për të penguar ligjvënësit të hynin brenda. Si rezultat i protestave, debati u shty për pesë orë dhe filloi në orën 14.

Reformat e propozuara që do të shqyrtojë parlamenti i Maqedonisë përfshijnë njohjen e gjuhës shqipe si një nga gjuhët zyrtare në Maqedoni dhe masa që do t’u garantonin shqiptarëve më shumë pushtet vet-qeverisës në ato zona ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullatës.

Dje, presidenti maqedonas, Boris Trajkovski pranoi raportin e NATO-s se aleanca kishte mbledhur të paktën një mijë e 400 armë nga luftëtarët shqiptarë, shifër që përbën më shumë se një të tretën e 3 mijë e 300 armëve që NATO-ja ka pohuar se ka në plan të mbledhë gjatë misionit 30 ditësh nga luftëtarët shqiptarë.

Mirëpo, zyrtarët maqedonas thonë se luftëtarët shqiptarë kanë deri në 85 mijë armë dhe se qeveria ka në plan të formojë një forcë të posaçme policore për të mbledhur armët që nuk i dorëzohen NATO-s. Por pranimi i raportit të NATO-s nga presidenti Boris Trajkovski i hapi rrugën debatit të sotëm në parlament.

XS
SM
MD
LG