Lidhje

Human Rights Watch fajëson Maqedoninë - 2001-09-05


Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch nxori ditët e fundit një raport në të cilin akuzon forcat maqedonase për krime dhe shkelje të të drejtave të njeriut të kryera ndaj popullsisë shqiptare në fshatin Ljuboten gjatë ofensivës së forcave qeveritare atje më 12 gusht. Raporti me titull Krime kundër Civilëve akuzon policinë maqedonase për vrasjen e 6 civilëve dhe djegien e të paktën 22 shtëpive, kasolleve dhe dyqaneve, prona të shqiptarëve, nga forcat maqedonase gjatë sulmeve që ato kryen në fshatin Ljuboten më 12 gusht.

Grupi i të drejtave të njeriut bën thirje për të filluar menjëherë një proces hetimor, ku të përfshihet edhe roli i Ministrit të Brendshëm Ljube Boshkovski, i cili ndodhej në fshat më 12 gusht, kur ndodhën aktet më të rënda kriminale. Human Rights Watch e cilëson si shumë shqetësues faktin që ministri i brendshëm ka qënë i pranishëm në kohën që janë kryer disa prej shkeljeve më të rënda dhe kërkon zhvillimin e menjëhershëm të një procesi të pavarur hetimor.

Human Right Watch i bëri thirje OSBE-së të bëjë publike rezultatet e hetimeve të saj lidhur me ngjarjet në Ljuboten. Kjo organizatë bëri gjithashtu thirje për një proces hetimor nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës, juridiksioni i së cilës përfshin edhe krimet e kryera gjatë konfliktit në Maqedoni. Raporti u bazua në një hetim dy javësh, gjatë të cilit u përfaqësues të organizatës shkuan në Ljuboten, zhvilluan intervista me viktimat dhe familjet e tyre, dhe studiuan dokumente dhe fotografi. Në të dokumentohen edhe raste të bombardimeve nga të cilat gjetën vdekjen 3 persona. Në raport hidhet poshtë versioni i qeverisë se në fshat kishte luftëtarë të UÇK-së.

Organizata Human Rights Watch përshkruan shkelje të tjera kur popullsia civile po përpiqej të largohej nga fshati. Më 12 gusht një grup ekstremist maqedonas rrahu duke lënë pa ndjenja 3 banorë shqiptarë në sy të policisë maqedonase. Një ndër fshatarët u qëllua në kokë nga policia kur po përpiqej t’u shpëtonte nga duart. Policia veçoi meshkujt dhe i dërgoi në një rajon policie në Shkup, ku ata u rrahën rëndë. Policia mori nga fshati 35 vjeçarin Atulah Qatipi, trupi i të cilit u identifikua më pas në morg nga familja e tij në gjendje të keqtrajtuar dhe të gjymtuar. Në bazë të dëshmive të të afërmve, të patën 24 burra dhe djem, përfshirë edhe një 13-vjeçar ende mbahen nga policia pasi iu nënshtruan keqtrajtimeve fizike.

Organizata Human Rights Watch vë në dukje se rastet e keqtrajtimeve të popullsisë janë të ngjashme me praktika të tjera keqtrajtimesh që ka dokumentuar kjo organizatë në Maqedoni gjatë 6 muajve të fundit. Organizata për të drejtat e njeriut u ka bërë thirje vëzhguesve ndërkombëtarë t’i kushtojnë vëmendje parësore mbikqyrjes dhe raportimit të akteve të policisë maqedonase. Këto sjellje, thekson në raportin e saj Human Rights Watch, mund të ringjallin konfliktin në Maqedoni. Gjendja kërkon masa të menjëhershme për raportimin e krimeve dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të këtyre akteve, në mënyrë që t’i pritet rruga shkeljeve të të drejtave të njeriut.

XS
SM
MD
LG