Lidhje

Përfaqësuesi i UNHCR, Ferdinando del Mundo komenton për kthimin e refugjatëve në Maqedoni - 2001-09-05


Komisariati i lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët thotë se kohët e fundit, pas ardhjes së trupave të NATO-s në Maqedoni, është rritur numri i të kthyerve nga Kosova, por ekziston shqetësimi se një pjesë e refugjatëve po kthehen në zona që ende konsiderohen të ndjeshme.

35 mijë refugjatë janë kthyer nga Kosova në Maqedoni ndërkohë që 48 mijë vazhdojnë të mbeten ende në Kosovë. Ferdinando del Mundo, shef i zyrës së komisariatit në Maqedoni, thotë për Zërin e Amerikës se sipas Kryqit të Kuq maqedonas, janë edhe rreth 75 mijë të zhvendosur brenda vendit, por nuk mund të thotë se sa prej tyre janë maqedonas dhe sa shqiptarë. Ai thotë se përpjekja kryesore bëhet në krijimin e besimit në procesin e paqes në mënyrë që refugjatët dhe të zhvendosurit të kthehen në shtëpitë e tyre dhe që të mos ketë zhvendosje të tjera të popullsisë. Zoti Del Mundo pohon se ka probleme për kthimin e refugjatëve shqiptarë që janë jashtë Maqedonisë.

“Ka disa probleme me dokumentacionin në kufijë, ka gjithashtu bllokada në dy pikat kryesore të kalimit të kufirit, thotë zoti del Mundo, duke marrë si shembull fshatin Orllancë ku një pjesë e banorëve shqiptarë është kthyer, por pjesa tjetër, rreth 500, nuk kanë mundur të kthehen sepse ka pasur probleme me dokumentacionin. Shqiptarët e identifikuar deri tani që nuk mund të kthehen në Maqedoni sepse kanë probleme me dokumentacionin janë të paktën rreth 5 mijë, të cilët kanë kërkuar ndihmë nga UNHCR-ja për kthimin e tyre në shtëpitë e veta”.

Ndërsa të zhvendosurit maqedonas janë të shqetësuar lidhur me sigurinë në zonat ku janë pakicë, si në zonën e Tetovës, thotë zoti del Mundo. “Ata kanw frikë se në zonë ka ende të dhëna për shkëmbim zjarri me armë të lehta. Nuk ka pasur shumë përleshje kohët e fundit, por ata janë ende të frikësuar të kthehen. Thonë se do të kthehen nëse forcat maqedonase të sigurimit do të jenë atje për të dhënë siguri për ta, por kjo është ende një çështje shumë e ndjeshme, thekson përfaqësuesi i lartë i UNHCR-së, duke shtuar se të zhvendosurit maqedonas kanë bllokuar pikat kryesore të kalimit të kufirit sepse duan të marrin ndihmë për tu kthyer në fshatrat e tyre.

Është thelbësore që maqedonasit të kthehen në fshatrat e tyre në zonat ku janë pakicë, thekson ai. Kthimi i refugjatëve dhe të zhvendosurve në shtëpitë e tyre, është sipas UNHCR-së, një vendim që vetë refugjatët dhe të zhvendosurit duhet ta marrin bazuar në gjendjen faktike në terren. Ata vetë duhet të vendosin kur është e sigurtë për ta të kthehen, thekson përfaqësuesi i lartë i UNHCR-së, Ferdinando del Mundo.

XS
SM
MD
LG