Lidhje

Robertson përshëndet vendimin e parlamentit të Maqedonisë - 2001-09-06


Sekretari i Përgjithshëm i Natos George Robertson e përshëndeti vendimin e parlamentit të Maqedonisë për të filluar rrugën e ndryshimeve kushtetuese për t’u dhënë më shumë të drejta shqiptarëve. Zoti Robertson tha se votimi i sotëm në parlament ishte historik dhe shtoi se ai do të rivendosë paqen dhe stabilitetin në Maqedoni.

Ligjvenësit e miratuan me shumicë dërmuese marrëveshjen e paqes. 91 deputetë votuan pro, 19 kundër dhe 2 abstenuan. Tani që ndryshimi i kushtetutës së Maqedonisë u miratua në parim, ligjvenësve do t’u duhet t’i diskutojnë një për një ndryshimet specifike të kushtetutës.

Marrëveshja, e hartuar me ndihmën e ndërmjetësve amerikanë dhe evropianë, i jep më shumë të drejta popullsisë shqiptare në Maqedoni. Gjuha shqipe do të marrë statusin e gjuhës zyrtare në ato pjesë të vendit ku shqiptarët përbëjnë shumicën. Ratifikimi i ndryshimeve kushtetuese do të kërkojë përsëri dy-të-tretat e votave të parlamentit, por deputetët nacionalistë e kanë bërë të qartë se do të përpiqen t’i ndryshojnë ose t’i bllokojnë disa ndryshime.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s George Robertson tha se tani u takon luftëtarëve shqiptarë të vazhdojnë dorëzimin e armëve. Burime të NATO-s thonë se operacioni pritet të rifillojë nesër.

Ndërkaq OSBE-ja tha se do të dërgojë vëzhgues të tjerë në Maqedoni për të mbikqyrur gjendjen e sigurisë gjatë fazës së dytë të grumbullimit të armëve. OSBE-ja ra dakort për të dërguar vëzhgues shtesë pasi Rusia hoqi dorë nga kundërshtimi i këtij plani.

XS
SM
MD
LG