Lidhje

Komente të deputetëve për miratimin e marrëveshjes - 2001-09-06


Parlamenti i Maqedonisë miratoi sot me 91 vota pro dhe 19 vota kundër fillimin e procedurës parlamentare për ndryshime kushtetuese. Deputetët që votuan kundër ishin nga VMRO-DPMNE e kryeministrit Lupço Georgievski dhe nga VMRO e Vërtetë. Pas 10 ditësh duhet që presidenti Trajkovski t’i paraqesë parlamentit amendamentet për ndryshimet kushtetuese.

Deputetët thanë pas votimit se kjo ishte faza më e lehtë dhe pritet që problemet më të mëdha të dalin në votimin e amendamenteve ku qoftë deputetët shqiptarë, qoftë ata maqedonas, pohojnë se do të ketë përpjekje për ndryshimin e tyre, gjë që do të prekte marrëveshjen e Ohrit dhe do të vinte në pikëpyetje votimin e gjithë paketës për ndryshime kushtetuese dhe ligjore. Votimi i sotëm me një shumicë dërrmuese votash në favor, u komentua si një përpjekje për t’i dhënë mundësi marrëveshjes së arritur në Ohër.

Kryetari i PDSH-së, Arbër Xhaferri, i tha Zërit të Amerikës se votimi në favor të fillimit të procedurës parlamentare ishte një domosdoshmëri historike dhe siç theksoi ai, do të ishte marrëzi që sot të votohej kundër.

Naser Zyberi, kryetar i grupit parlamentar të PPD-së, theksoi se ky votim sot ishte faza e parë drejt zbatimit të marrëveshjes së Ohrit dhe shprehu shqetësimin se deputetët maqedonas mund të përpiqen të bëjnë ndryshime të marrëveshjes së Ohrit, që do ta vinte në rrezik gjithë paketën.

Radmilla Shekerinska, e Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, theksoi se votimi i sotëm ishte i rëndësishëm sepse bëri të mundur vazhdimin e procedurës në parlament. Fakti është kjo është pjesa më e lehtë e procedurës dhe do të shkojmë drejt votimit të çdo amendamenti që do të jetë më vështirë dhe më e ndërlikuar. Por të paktën është bërë hapi i parë përpara, theksoi zonja Shekerinska.

Votimi i sotëm në parlament u bë ndërkohë që në Shkup vijnë për vizitë dy komisionerët e lartë evropian Havier Solana dhe Kris Paten. Pritet që nesër zoti Paten të nënshkruajë ndihmën ekonomike të BE-së për Maqedoninë. Po sot në parlament ishte i pranishëm edhe Ministri i Brendshëm Lube Boshkovski, i cili, ka reaguar ndaj një raporti të Human Right Watch, lidhur me implikimin e tij në ngjarjet në fshatin Luboten ku u vranë civilë shqiptarë dhe shumë të tjerë u keqtrajtuar nga policia maqedonase. Zoti Boshkovski ka thënë se do të bëjë padi penale në gjykatën e Strasburgut kundër kësaj organizate ndërkohë që dëshmitarët e ngjarjeve në Luboten kanë dëshmuar për vrasjet dhe keqtrajtimet e kryera nga policia në këtë fshat kundër banorëve civilë.

XS
SM
MD
LG