Lidhje

Komiteti i Helsinkit mbështet raportin e HRW për Lubotenin - 2001-09-06


Zonja Mirjana Najçevska, kryetare e Komitetit maqedonas të Helsinkit për të drejtat e njeriut flet për keqtrajtime të mëdha të banorëve të fshatit Lubeten afër Shkupit. Ajo nuk mundi të thotë nëse pajtohet ose jo me raportin e Human Rights Watch (HRW) por theksoi se bisedimet që janë zhvilluar brenda Komitetit të Helsinkit në Shkup, japin shenja se me të vërtetë ka pasur një ngjarje të tillë, siç ka paraqitur HRW. Fshatarët e Lubetenit, ka thënë ajo më parë, po bëjnë thirrje për çvarrosjen e të vrarëve më 12 gusht.

Zonja Najçevska përcjell të dhënat këmbëngulëse të fshatarëve të Lubetenit se atje ka ndodhur masakër dhe se ata kërkojnë që përfaqësuesit e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte të bëjnë hetime për këtë rast. "Komiteti i Helsinkit ende nuk e ka përfunduar raportin e vet, por po bën përpjekje për lëvizje më praktike, duke iu drejtuar prokurorit publik dhe zyratarisht ministrit të Brendëshëm maqedonas që të përgjigjen se çka po ndërmarrin në lidhje me rastin e Lubetenit", tha ajo.

Rreth 27 banorë të këtij fshati po mbahen të paraburgosur, ndaj të cilëve janë ngritur aktpadi të rënda. Ndërkohë, autoritetet e Shkupit vazhdojnë të hedhin poshtë çdo thënie që flet për keqtrajtimet e policisë kundër civilëve të Lubetenit. Ministri maqedonas i Punëve të Brendëshme Lube Boshkovski, i cili akuzohet për udhëheqjen personalisht të operacionit të rezervistëve në këtë fshat, ka hedhur poshtë çdo krim kundër civilëve. Sipas tij, luftimet në fshat ishin zhvilluar për dy ditë, një kishë orthodokse ishte sulmuar dhe varrezat maqedonase ishin shkatërruar.

Policia maqedonase kishte hyrë në fshat kur gjithçka kishte marrë fund dhe ka qenë e pamundur që plicia të vriste ndonjë banor, ka provuar të mbrohet kështu ministri Boshkovski menjëherë pas ngjarjes. Ministri maqedonas ka thënë se shqiptarët luftonin mes vete në Lubeten, ndërsa për video kasetën e incizuar ku duket ai duke parë vrasjet dhe djegiet në fshatin Lubeten ka thënë se tregon terroristët që vrasin banorët civilë të cilët refuzojnë ti bashkohen UCK-së.

Por, këto deklarata të tij janë qesharake për shumicën e banorëve të fshatit. Edhe vëzhgues ndëkombëtarë thonë se nuk kishte shenja të UCK-së në fshat.

XS
SM
MD
LG