Lidhje

LDK shpall listën e kandidatëve për zgjedhje - 2001-09-07


Kryetari i LDK-së Ibrahim Rugova kërkoi sot në Prishtinë siç tha ai njohjen e pavarësisë së Kosovës meqë kjo sipas tij do të qetësonte tërë Evropën Juglindore. Ndërsa qëndrimi i Beogradit ndaj kësaj çështjeje është i njohur, mirëpo roli i tij në Kosovë nuk mund të jetë me rëndësi vendimtare, tha ai. Zoti Rugova i bëri këto komente me rastin e publikimit të vendimit të partisë s tij që në zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit në Kosovë të paraqesë 110 kandidatë për parlamentin e saj.

Zoti Rugova tha se janë përmbushur të gjitha kriteret e paraqitura nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë e cila organizon zgjedhjet, duke nënvizuar se 30 për qind e kandidatëve janë të gjinisë femërore. Zoti Rugova tha se këto janë zgjedhjet e para të përgjithshme në Kosovën e Lirë, duke përmendur me këtë rast zgjedhjet e përgjithshme të shqiptarëve të Kosovës të mbajtura në vitet 1992 dhe 1998. Këto të fundit nuk janë njohur as nga bashkësia ndërkombëtare e as nga një pjesë e forcave politike në Kosovë.

Zoti Rugova ndërkaq bëri thirrje për një fushatë të qetë parazgjedhore. “Edhe këtë vit sikurse edhe vjet në zgjedhjet komunale që treguam pjekuri dhe që tregoi cilësi populli i Kosovës të ndodhë edhe në këto zgjedhje”, deklaroi ai.

Shpallja e listës së kandidatëve të LDK-së tha kryetari i saj bëhet në një ditë të rëndëishme për historinë më të re të Kosovës duke ju referuar kësisoji përvjetorit të shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës më 1990 me të cilën siç u shpreh zoti Rugova ishin vënë themelet e pavarësisë së saj. Ai tha se njohja edhe formale e kësaj pavarësie do të ndihmonte shumë në qetësimin e situatës në tërë Evropën Juglindore e madje edhe në vetë Serbinë e cila është kundërshtarja më e rreptë e mëvetësimit të saj.

“Ne i kemi kryer bisedat për këto punë me Beogradin. Ata nuk kanë pranuar prandaj janë dënuar me aksionet e bashkësisë ndërkombëtare dhe të NATO-s. Dhe sot defakto Kosova është e pavarur dhe vetëm pret njohjen formale të saj, prandaj nuk merremi shumë me ato çfarë thuhen”, nënvizoi ai. Dr Rugova tha se ai sikurse edhe forcat tjera politike janë treguar të përmbajtura ndaj qëndrimeve të autoriteteve të Beogradit në mënyrë që siq u shpreh, “t’u krijohet hapësirë zyrtarëve të atjeshëm që të demokratizohen”. Beogradi mund të jetë pjesë e bisedimeve ndërkombëtare për Kosovën, por nuk mund të vendosë për të ardhmen e saj.

Zoti Rugova ndërkaq bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjes së paqes në Maqedoni duke nënvizuar se Kosova ka të drejtë të kujdeset për shqiptarët e Maqedonisë, por nuk synon përzierjen në punët e brendshme të saj, prandaj ai hodhi poshtë të gjitha akuzat sipas të cilave Kosova është burim i problemeve në rajon.

XS
SM
MD
LG