Lidhje

Presidenti dekretoi qeverinë e re të Metës - 2001-09-07


Presidenti i Republikës dekretoi sot qeverinë e re të koalicionit të majtë të kryeministrit Ilir Meta, ndërsa pasdite do të presë ministrat për të bërë betimin. Kabineti i ri i kryeministrit Meta përbëhet nga 22 anëtarë, ku janë përfshirë përfaqësues nga 4 parti aleate me socialistët. Të henën pritet që kryeministri Meta të kërkojë votbesimin në parlament për ministrat dhe programin e tij.

Qeveria e krijuar nga kryeministri Ilir Meta u dekretua sot edhe nga Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani pasi mori mbrëmë miratimin e kryesisë së Partisë Socialiste. Pasdite të 22 anëtarët e kabinetit te ri do të bëjnë betimin te presidenti. Që nga ky moment të gjithë mund të nisin punën në dikasteret që do të drejtojnë. Formimi i qeverisë së re, pas vonesës së shkaktuar nga procesi zgjedhor dhe nga vetë drejtuesit socialistë, do të bëjë që administrata shqiptare e mbajtur pezull dhe thuajse e bllokuar për katër muaj, të rinisë më në fund aktivitetin. Në administratë nuk priten përmbysje, duke qenë se në ministritë më të rëndësishme janë rikonfirmuar të njejtët drejtuesë.

Këtë herë socialistët kanë vënë kontrollin e tyre edhe në dy ministri të tjera të dorës së parë që deri dje u ishin besuar aleatëve, Drejtësia dhe Diplomacia në krye të së cilës për herë të parë në histori, emërohet një grua, Arta Dade, sekretare për marrëdhëniet me jashtë në partinë e saj. Elementi më i ri i qeverise Meta 2 është krijimi i 5 ministrave të shtetit pa portofol, nga të cilat dy të shtuara në momentin e fundit. Mjafton të shohësh emrat e këtyre ministrave për të kuptuar se qëllimi kryesor ka qënë plotesimi i orekseve të aleateve të vegjël. Megjithëse parti me 3 deri 4 deputetë, dhe me një përqindje të vogël në elektoratin shqiptar, ato kanë pretenduar me forcë përfaqësim në nivel ministrasi, madje socialdemokratët, për një deputet më tepër nga të tjerët kanë siguruar edhe postin e numrit dy të qeverisë, atë të zëvendëskryeministrit, në të cilin është emëruar Skënder Gjinushi.

Në shtypin e sotëm është kritikuar numri i madh i ministrave të shtetit, njëri prej të cilëve do të merret me të drejtat e Njeriut dhe Pakicat kombëtare, në një kohë kur Shqipëria nuk është shtet multietnik e nuk ka patur probleme me ato pak minoritetet që jetojnë këtu. Ndërsa në lëmin e të Drejtave të Njeriut funksionojnë disa institucione si ministria e Drejtësisë Avokati i Popullit dhe ekziston kushtetuta e vendit që i sanksionon këto të drejta. Mesa duket kjo cështje ka shqetesuar edhe presidentin e Republikes, i cili në dekretimin e qeverisë ka retushuar emërtimet duke lënë thjesht 3 ministra shteti, dhe dy te tjerët për Integrimin Europian dhe Energjinë.

XS
SM
MD
LG