Lidhje

Analizë e kabinetit Meta2 - 2001-09-07


VOA: Përbërja e qeverisë së re është pritur me reagime të ndryshme. Kritika kryesore ka qenë se kabineti i ri është formuar kryesisht mbi bazën e kompromisit politik dhe jo të aftësive individuale të ministrave që u caktuan. Cili është mendimi juaj për kabinetin e ri.

RULI: Përgjithësisht do të thoja që problemi kryesor në lidhje me qeverinë nuk është aq cilësia e ministrave sesa struktura e saj. Në një kohë që ekperienca e grumbulluar në 4 vitet e mëparshëm të qeverisë socialiste kishte dhënë boll argumente për një ristrukturim në drejtim të efiçencës së qeverisë nuk shohim këtë gjë por përkundrazi shohim shtimin e shumë portofoleve të pakuptimta të cilat kanë qënë karta pazari të politikës. Përsa i përket cilësisë së ministrave, anëtarëve të kabinetit do të thosha që kemi një pamje të dyanshme, kemi vërtet edhe ministra të rinj, përfaqësues të brezit të ri, kemi edhe ministra porfesional por kemi njëkohosisht edhe riciklimin e mjaft figurave ministeriale të cilat kanë shfaqur inkopetencë patologjike në këto vite. Megjithatë të thuash që kabineti është rezultat i një kompromisi kjo është relative sepse ky kabinet përmban njëkohosisht sa kompromise aq edhe moskompromise psh po të shohim midis dualitetit të fortë që ka qënë Meta-Nano nuk besoj që këtu është arritur ndonjë kompromis i madh, përgjithësisht Meta ka diktuar në përbërjen e kabinetit të ri dhe kjo e bën krejt të pakuptimtë atë luftë tepër agresive, atë rivalitet të ashpër që u zhvillua midis Nanos dhe Metës në lidhje me çështjen e kandidatit për kryeministër të partisë socialiste e cila në vetvete kjo luftë e gjatë kompromentoi shumë edhe fitoren e socialistëve në zgjedhjet e fundit elektorale. Nga ana tjetër kemi një kompromis me aleatët përsëri pa kuptim, shumë më i pakuptimtë sesa me shoqatën ku kishte një argument, me aleatë të cilët dolën kryesisht me votat e Dushkut jo me vota të merituara me të cilët PS u distancua dukshëm para fushatën, biles me agresivitet dhe papritur këta kungohem me disa poste të mëdhaja ministeriale madje duke kërcënuar edhe stukturën qeveritare. Pra siç shohim loja politike i ngjan një lufte në gotë pra një lojë e pakuptimtë ku në përfundim të saj kthehemi përsëri tek gjendja e mëparshme që tregon me të vërtetë një koherencë brenda për brenda PS dhe lidershipit të saj.

VOA: Zoti Nano, cilat sipas mendimit tuaj ju duken anët më të forta dhe më të dobëta të kabinetit të ri.

NANO: Po unë do të thoja që n.q.s. shohim me kujdes përbërjen e qeverisë aty ka pak njerëz që janë shquar për integritet moral, integritet profesional dhe integritet politik por mendoj që këto njerëz të vjetër apo të rinj, ish ministra apo ministra të rinj përbëjnë pakicën e qeverisë Meta 2. Ndërsa shumica mendoj që as nuk janë shquar për integritetin moral, profesional dhe politik. Në këtë sens unë shoh një pikë të dobët të qeverisë Meta 2. Nga ana tjetër në gjithë odisenë e diskutimeve dhe negociatave përpara formimit të qeverisë, unë mendoj se kanë dalë dy të fituar, kanë dalë Ilir Meta i cili ka diktuar pothuajse të gjithë procesin, ka dalë edhe një personazh që është i gjithë gjendshëm gjatë gjithë këtyre 10 viteve dhe ky është personazh që ka ca fuqi magjike që është e vështirë të shpjegohen dhe që quhet Skënder Gjinushi. Pra edhe Gjinushi megjithëse nuk ka pasë fuqi politike nuk ka pasë një mandat politik ai ka arritur të diktojë qeverinë dhe duke qenë zëvendëskryeministër ai do të jetë syri vëzhgues i kryeministrit sepse dihen marrëdhëniet e mira të Gjinushit me Nanon dhe dihet edhe konflikti Nano-Meta. Në këtë sens pra shof edhe pikën e dytë të dobët të qeverisë Meta2. Veç kësaj do të doja të vazhdoja idenë e zotit Ruli, pra do të doja të bëja gjykimin analitik të stukturës së qeverisë, gjë që ka rënë në sy për keq të gjithë opinionit tonë publik dhe jo vetëm të atij të analistëve siç jam edhe unë. Këtu bihet re çgradimi i Milos nga Ministër i Jashtëm në Ministër Integrimi, gjithashtu çgradimi i Et’hem Rukës nga Ministër i Arsimit në Ministër i Ambjentit, pra këto janë lëvizje të cilat janë produkt i kompromiseve të pamoralshme, kompromise që nuk janë bërë në funksion të qeverisjes por thjesht në funksion të plotësimit, të përmbushjes së kapriçove të njërit grup apo të njërit person apo tjetrit. Nga ana tjetër prezenca e Angjelit dhe Finos apo edhe të ndonjë tjetri, personazhe të cilat janë anatemuar nga një pjesë e madhe e opinionit publik, nga një pjesë e madhe e shtypit dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për shtypin e opozitës, prezenca e këtyre figurave, unë mendoj që e dëmton shumë qeverinë Meta.

VOA: Zoti Ruli ju keni shërbyer në qeveri, keni qenë në një post shumë të rëndësishëm dhe i dini sfidat e qeverisjes. Kryeministri Meta njihet si një politikan energjik por përçarjet brenda PS për të cilat folët edhe ju dhe tejzgjatje e procesit zgjedhor mund tja kenë zbehur atij tehun e veprimit. Sipas mendimit tuaj çfarë duhet të bëjë zoti Meta gjatë 6 muajve të ardhshëm.

RULI: Ndoshta është e vërtetë kjo që Meta nga fitorja, dhe ishte me të vërtetë një fitore politike e tij riciklimi përsëri si kryeministër e cila në një aspekt mund të shifet edhe si pozitive sepse siguron vazhdimësi në qeverisjen shqiptare, dhe për më tepër në politikat e nisura të qeverisjes, në të njëjtën kohë ka dalë edhe me disa pengje. Megjithatë duhet të shofim ecurinë e muajve që vinë dhe vitit të parë të qeverisjes për të parë se sa të thella janë këto dhe sa do të arrij Meta të çlirohet nga këto pengesa. Në fakt sfidat me të cilat do përplaset qeveria e qeverisjes së 4 viteve të ardhshme mendoj që janë të mëdhaja. Meta ka bërë një artikulim logjik të tre prioriteteve të tij, integrimi në BE, lufta kundër trafiqeve dhe kriza energjitike. Me të vërtetë këto mund të konsiderohen ”groso modo” sikur janë prioritetet dhe duhet të jenë prioritetet e qeverisë shqiptare. Në fakt sfidat më të mëdhaja do të jenë kryesisht në aspektet institucionale dhe në politikat ekonomike. Vërtetë ekonomia shqiptare ka treguar në vitet e fundit disa tendenca më të stabilizuara qoftë në ruajtjen e ritmeve të prodhimi, qoftë në mbajtjen e situatës inflancioniste dhe asaj monetare, në kontrollin buxhetor dhe në konsolidimin fiskalo-doganor. Megjithatë këto janë ende delikate dhe në këtë drejtim duhet vazhduar me shumë qëndrueshmëri edhe në vitet që vijnë. Megjithatë sfidat më të mëdhaja janë problemet stukturore të tranzicionit me politikat stukturore si dhe me politikat e zhvillimit. Besoj se Shqipëria ka hyrë në fazën që duhet të bëj në kombinim shumë të kujdesshëm dhe paralel të këtyre dy grupeve politikash të cilat janë me të vërtetë sfida të mëdhaja dhe kërkojnë shumë profesionalizëm dhe përgjegjësi qeverisëse. Do të thoja kemi problemin ende me një sektor të stërmadh bujqësor po i cili është pak efiçentë dhe ka nevojë për reforma të mëdhaja, një ndryshim imediat brenda dy vjetëve të para të sferës së ekonomisë informale e cila pa dyshim duhet kapërcyer sa më shpejt dhe për më tepër institucionalizimi i tregut, rritja e rolit të enteve regullatore, konsolidimi të drejtave të pronësisë, zhdukja e tendencave monopoliste të cilat kërkojnë me të vërtetë politika ekonomike tepër të qarta dhe për më tepër shumë vendosmëri në realizimin e tyre. Po në të njëjtën kohë mendoj që një prioritet i theksuar i cili po kuptohet edhe nga donatorët duhe të jetë në vitet e ardhshme politikat e zhvillimit, të parat kryesisht në rritjen e nivelit të edukimit të popullatës, një reformë të thellë në sistemin arsimor e cila me të vërtetë ka qenë shumë e vakët në këto katër vjet, nga ana tjetër reforma në sektorin e shëndetësisë dhe politika të mirëfillta kundër varfërisë. Mendoj që këto janë sfida të mëdhaja për çdo qeveri me të vërtetë kemi ende, qeveria sapo është formuar kemi ende hezitimet tona se ajo sdo jetë në gjendje për ti përmbushur këto sfida.

VOA: Edhe një pyetje për ju zoti Nano lidhur me rolin që luan opinioni publik në Shqipëri. Kryeministri Meta siç thatë ju mbajti në qeveri ministrin Angjeli megjithë kritikat e ashpra, akuzat për korrupsion. Kjo flet për një mospërfillje të opinionit publik. A keni ju një përcaktim të tillë.

NANO. Unë personalisht nuk e di që Fino është i korruptuar, Angjeli është i korruptuar apo dikush tjetër është i korruptuar. Bile këtu ka një lloj arësyetimi i cili artikulohet pak a shumë kështu që Angjeli, Fino, X, Y, nuk janë të paditur nuk janë të penalizuar nga asnjë lloj sistemi juridik në Shqipëri dhe kjo është e vërtetë. Por unë mendoj që ky nuk është një alibi që i mbron këto sepse ne nga një anë kemi një nga administratat më të korruptuara të Evropës gjë që është pranuar edhe nga autoritetet shtetërore shqiptare, gjë që është pranuar edhe nga kryeministri dhe nga ana tjetër nuk kemi asnjë njeri të penalizuar që është pjesë e administratës shtetërore shqiptare.

VOA: Zoti Nano, zoti Ruli, ju faleminderit

XS
SM
MD
LG