Lidhje

Maqedonia mund të pranojë një forcë të re - 2001-09-09


Maqedonia tha dje se mund të pranojë një mision shumëkombësh me mandat të OKB-së për të ruajtur paqen në vend. Forca e re mund të dislokohet menjëherë pasi Natoja të ketë përfunduar operacionin e grumbullimit të armëve të luftëtarëve shqiptarë më 26 shtator. Para kësaj, zyrtarët maqedonas kritikuan thirrjen e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian që forca e propozuar të drejtohet nga Natoja. Zyrtarët e quajtën këtë një shenjë se ministrat nuk kanë besim në marrëveshjen e muajit të kaluar për t’i dhënë fund konfliktit. Po dje, Shtetet e Bashkuara thanë se nuk janë të bindura se misioni paqeruajtës i propozuar duhet të udhëhiqet nga Natoja. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Philip Reeker tha se Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë shqyrtimin e situatës dhe të krijojë forcën e re paqeruajtëse nëse Maqedonia e kërkon atë. Zyrtarët maqedonas thonë se mund të lejojnë disa trupa të Natos të qendrojnë si pjesë e një force të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara. Kontigjentit të OKB-së që u dislokua në Maqedoni nga viti 1992 deri më 1998, i njihet merita se arriti ta ruajë stabilitetin e vendit pas shkëputjes së tij nga Jugosllavia.

FMN shqyrton hua të re për Maqedoninë

Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore kanë në plan të organizojnë një konferencë dhuruesish për Maqedoninë më 15 tetor. Konferenca që pritet të mbahet në Bruksel, do të zhvillohet vetëm në se parlamenti maqedonas, do të marrë masa për zbatimin e marrëveshjes, e cila i garanton të drejta të reja themelore pakicës shqiptare në Maqedoni. Zyrtarë të ndihmave janë të mendimit se konferenca e dhuruesve mund të premtojë deri në 100 milionë dollarë ndihma, një shumë e madhe kjo për ekonominë e këtij vendi të vogël ballkanik. Fondet do të përdoren për të përballuar buxhetin qeveritar, i cili është pakësuar së tepërmi nga shpenzimet e papritura qeveritare. Këtë vit maqedonia ka shpenzuar 35 milionë dollarë të valutës së huaj që kishte marrë nga privatizimi i kompanisë së saj telefonike, për blerje armësh dhe për shpenzime të tjera për nevojat e sigurimit.

Biswajit Banerjee, punonjës i Fondit Monetar Ndërkombëtar, përgjegjës për Maqedoninë, thotë: “Kriza e shkaktuar nga kryengritja e keqësoi më tej gjendjen financiare të vendit. Si pasojë e krizës ka pasur humbje në rezervat e valutës së huaj, e lidhur kjo drejtpërdrejt me buxhetin. Po ashtu ekonomia është dobësuar dhe për rrjedhojë të ardhurat e popullsisë janë pakësuar.”

Luftëtarët shqiptarë e filluan kryengritjen në muajin shkurt. Marrëveshja e paqes me armëpushimin e saj të paqendrueshëm, u nënshkruan para më pak se një muaji. Populli maqedonas nuk ka besim që marrëveshja e paqes do të respektohet. Sapo forcat e Natos të tërhiqen, lufta civile shihet si një kërcënim i vazhdueshëm. Një tjetër pasiguri është mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të parakohshme. Zyrtarin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Banerjee, e shqetëson ideja se përgatitjet për zgjedhjet do të vononin ristrukturimin e ekonomisë së Maqedonisë, e cila në pjesën më të madhe vazhdon të drejtohet nga shteti.

Fondi Monetar Ndërkombëtar është duke shqyrtuar një hua të re për Maqedoninë, por kjo nuk do të ndodhë para dhjetorit. Një hua e mëparshme e Fondit pësoi shkurtime, sepse buxheti i tejkaloi nivelet e premtuara. Maqedonia ka pësuar një varg tronditjesh ekonomike vitet e fundit. Më 1999 këtij vendi iu desh të strehojë dhjetëra mijëra refugjatë të ikur nga Kosova. Pas kësaj Maqedonia shërbeu si bazë për ndërhyrjen ushtarake të Natos në Kosovë. Kryengritja e këtij viti ka pakësuar eksportet dhe e ka goditur rëndë ekonominë e vendit. Megjithatë monedha vazhdon të jetë e qendrueshme dhe ekonomia vazhdon të rritet, por me ritme më të ngadalta nga sa pritej.

XS
SM
MD
LG