Lidhje

Nuk dihet ende fati i udhëheqësit të opozitës në Afganistan - 2001-09-11


Fati i udhëheqësit të opozitës afgane Ahmed Shah Masood vazhdon të jetë i paqartë pas atentatit që iu bë dje. Njoftimet e mediave, të cilat citojnë disa burime, japin versione të ndryshme: disa thonë se ai ka vdekur ndërsa të tjera e paraqisin të plagosur lehtë ose rëndë, pas përpjekjes që bënë tre persona për ta vrarë me bombë. Edhe vendndodhja e tij nuk dihet. Vëllai i zotit Masood, Ahmed Wali, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se udhëheqësi i opozitës është në gjendje të rëndë dhe ka humbur vetëdijen në një spital të Taxhikistanit fqinj. Të tjerë pjestarë të opozitës afgane thonë se komandanti Masood ndodhet në Afganistan dhe është i plagosur lehtë. Agjencia ruse e lajmeve Tass njoftoi se zoti Masood ka vdekur. Departamenti amerikan i Shtetit tha se nuk është në gjendje të konfirmojë njoftimet për vdekjen e tij. Ahmed Shah Massod është udhëheqësi ushtarak i opozitës afgane, e cila lufton në kushte të vështira kundër milicisë talebane në fuqi. Vdekja e tij do të kishte një ndikim të madh mbi të ardhmen e Afganistanit.

XS
SM
MD
LG