Lidhje

Efektet e sulmeve në ekonominë amerikane - 2001-09-12


Sulmet terroriste në New York mund të kenë një ndikim negativ ndaj ekonomive në mbarë botën gjatë muajve të ardhshëm dhe mund ta shtyjnë ekonominë amerikane në krizë. Disa analistë thonë se sulmi terrorist ndaj Shteteve të Bashkuara mund të sjellë një rënie të ekonomisë në tre mujorin e tretë për herë të parë në më shumë se tetë vjet, si rrjedhojë e ndërprerjes së veprimtarisë së biznesit dhe rënies së besimit të konsumatorëve. Kjo mund të detyrojë Bankën Qendrore Amerikane të vazhdojë të ulë përqindjet e interesave për të stimuluar rritjen ekonomike.

Ndërkohë në qytetet e goditura nga sulmet ka filluar faza e vështirë e numërimit të viktimave dhe hetimeve mbi autorët e këtyre akteve. Zakonisht lagja financiare e New Yorkut gumëzhin plot gjallëri. Por dje Wall Street-i ku ndodhet tregu i aksioneve u mbështoll nga hiri dhe pluhuri, ndërkohë që ata që punojnë këtu po iknin për të shpëtuar. Dy kullat binjake të njohura si Qendra Botërore e Tregtisë u përfshinë nga flakët, pasi u goditën nga dy avionë amerikanë që ishin rrëmbyer dhe detyruar të ndërronin destinacion. Këto goditje janë sulmi më i rëndë terrorist në historinë e Shteteve të Bashkuara. Afro një orë pas sulmit të dyja kullat u rrëzuan duke e vështirësuar edhe më tepër punën e ekipeve të shpëtimit në New York. E gjithë lagja financiare është një katastrofë. Pa u mbushur ora, një tjetër avion i rrëmbyer rrëzohet mbi Pentagonin në Washington, duke shkaktuar panik. Reagimi i parë ndaj sulmit ishte evakuimi e kësaj ndërtese e cila është qendra drejtuese e ushtrisë amerikane. Shërbimi Sekret mori masa për sigurinë e presidentit, nën-presidentit dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve. Masa të posaçme janë marrë edhe për sigurinë e ekipit të sigurimit kombëtar, Kabinetit të presidentit dhe personelit të lartë.

Kaosi pushtoi jo vetëm autostradat por edhe korridoret ajrore, pasi Agjencia Federale e Aviacionit mbylli çdo aeroport në Shtetet e Bashkuara. Të gjithë avionët që ishin në fluturim e sipër zbritën në aeroportin më të afërt dhe avionët ndërkombëtarë zbritën në aeroporte në vende të tjera. Edhe trafiku detar është nën kontroll të rreptë. Tani fillon faza e numërimit të viktimave, si dhe procesi i zbulimit të fajtorëve dhe motiveve të tyre.

XS
SM
MD
LG