Lidhje

Ndalohet një i dyshuar në Hamburg - 2001-09-13


Policia gjermane bëri të ditur se ka ndaluar sot një person në Hamburg për hetime lidhur me sulmet terroriste të kësaj jave në Shtetet e Bashkuara, bazuar në informacionin e dhënë nga Byroja Federale amerikane e Hetimeve. Agjencia e lajmeve Reuters thotë se policia nuk e indentifikoi personin, por e pëshkroi atë si punonjës të aeroportit, me banim të ligjshëm në Gjermani.

Në një zhvillim tjetër, policia gjermane tha se rrëmbyesit e aeroplanëve që kryen sulmet vetvrasëse të martën në Shtetet e Bashkuara besohet se janë shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe, që kishin jetuar në Hamburg deri në shkurt të këtij viti.

Ne Washington, Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara John Ashcroft thotë se autoritetet po zhvillojnë hetime lidhur me mijëra informata mbi sulmet terroriste të së martës ndaj Pentagonit dhe Qendrës Botërore të Tregtisë në New York. Zoti Ashcroft e bëri këtë njoftim për emisionet televizive të lajmeve sot në mëngjes. Ai tha se Departamenti i Drejtësisë beson se ka shënuara përparime në procesin hetimor, por nuk pranoi të jepte të dhëna më të hollësishme.

Mijëra agjentë federalë dhe personel ndihmës po punojnë në mbarë vendin, për të hetuar informatat e marra. Zoti Ashcroft e cilësoi këtë si procesin më të madh hetimor në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ndërkaq agjencitë e lajmeve po citojnë burime të Byrosë Federale të Hetimeve, sipas të cilëve rreth 50 vetë mund të kenë qenë të angazhuar në këtë sulm terrorist. Zoti Ashcroft tha se 12 deri në 14 terroristë morën nën kontroll 4 avionët që u rrëzuan. Shefi i Byrosë Federale të Hetimeve Robert Muller thotë se agjentët kanë identifikuar shumë prej rrëmbyesve të avionëve. Njoftimet e lajmeve flasin për lidhje ndërmjet tyre dhe terroristit saudit Osama Bin Laden.

XS
SM
MD
LG