Lidhje

Powell: bin Laden kryesori i dyshuar - 2001-09-13


Sekretari i Shtetit Colin Powell u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara synojnë të ndërmarrin një luftë globale kundër grupeve terroriste, kundër cilitdo që është përgjegjës për sulmet e së martës kundër Qëndrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit.

"Ne duhet ta shohim këtë në një spektër më të gjërë, se kjo është plagë e tmerrshme për mbarë qytetërimin. Dhe ne do të përqëndrohemi në organizata të tjera terroriste, të cilat kanë si objektiv vendin tonë, shtetasit tanë dhe interesat e aleatëve tanë" tha sekretari Powell.

Zoti Powell është zyrtari i parë i lartë i administratës që identifikoi hapur grupin e Osama Bin Ladenit si të dyshuarin kryesor për sulmet ndaj Shteteve të Bashkuara. Sekretari Powell tha se sapo Shtetet e Bashkuara të kenë grumbulluar të dhëna bindëse se kush është përgjegjës për këto sulme, ato do të bëhen publike.

"Dhe atëherë ne do ta ndjekim dhe kapim grupin apo rrjetin përgjegjës dhe ata që e kanë strehuar, përkrahur dhe ndihmuar, dhe do ta shkatërrojmë atë rrjet. Dhe kur të kemi mbaruar punë me të, ne do të vazhdojmë me një sulm global kundër terrorizmit në përgjithësi. Në se Shtetet e Bashkuara e ndjejnë nevojën për të vepruar vetëm, kjo nuk do të pengohet nga fakti se ne po bashkëpunojmë njëkohësisht me të tjerët".

Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara morën përgjigje pozitive ndaj thirrjes së tyre për veprim të përbashkët kundër terrorizmit: Natoja deklaroi se sulmet kundër Amerikës mund të shihen si sulme kundër aleancës, nëse del se ato janë organizuar nga jashtë. Është hera e parë që Natoja i referohet klauzolës së saj për mbrojtjen reciproke. Dje, udhëheqësi ushtarak i Pakistanit, Pervez Musharraf premtoi bashkëpunim të plotë në luftën kundër terrorizmit. Pakistani ka qënë nën trysni për shkak të mbështjes për regjimin taleban të Afganistanit, i cili vazhdimisht e ka kundërshtuar ekstradimin e Bin Ladenit.

XS
SM
MD
LG