Lidhje

Incidente raciste kundër myslimanëve - 2001-09-14


Psikologët thonë se një rezultat i trishtueshëm, por i pashmangshëm i sulmeve në New York dhe në Washington kanë qënë incidentet raciste në rritje, një zemërim kundër myslimanëve dhe personave me origjinë nga Lindja e Mesme.

Në Arlington të Texasit, në afërsi të Dallasit, kundër një xhamie u hap zjarr, duke shkaktuar thyerjen e xhamave të dritareve. Ndërsa në Denton, në drejtim të një xhamie dhe të shkollës islamike u hodh një shishe me benzinë. Në Mineapolis, në zemër të Amerikës, shkolla e vetme islamike në Minesota, Al-Aman, ishte e mbyllur. Abdul Hameed dhe rreth 300 nxënës të tjerë u detyruan të qëndronin në shtëpi. Pas sulmeve të së martës, i ati i Abdulit, Abdulla Hameed, u shpreh:“Çdo gjë është e mundur. Ajo që ndodhi në Washington dhe në New York mund të ndodhë kudo tani...”

Drejtori i shkollës, Salah Ayari tha se dëshira e tyre ishte që shkolla të mos mbyllej. “Ndjenjat e frikës e të dëshpërimit janë shumë të mëdha, tha Dr. Ayari.”

Pati edhe incidente të tjera: një demonstratë e zhurmshme pro-amerikane në rrethinat e Chicagos, e cila kishte në shënjestër një qendër islamike. Në San Francisco, në derën e një qendre të komunitetit islamik ishte lënë një qese me gjak. Presidenti Bush foli në telefon me guvernatorin e New Yorkut, George Pataki, dhe me kryetarin e bashkisë së qytetit, Rudolph Guiliani. I shqetësuar rreth njoftimeve të këtij lloji, presidenti Bush u bëri thirrje amerikanëve që të mos i shikojnë me sy të keq arabo-amerikanët ose myslimanët. “Ka mijëra arabo-amerikanë, që jetojnë në New York dhe që e duan flamurin amerikan po aq sa ne të tre, prandaj ne duhet të kemi kujdes që arabo-amerikanët dhe myslimanët të trajtohen me respektin që meritojnë, tha Presidenti Bush.” Siç u shpreh edhe presidenti, amerikanët nuk duhet që për një akt terrori t'ja hedhin fajin një njeriu për faktin se është mysliman. Edhe i ati i presidentit Bush, ish presidenti George Bush, duke folur në Boston, bëri thirrje për tolerancë dhe shtoi se myslimanët, ashtu si të krishterët dhe hebrenjtë, besojnë në dashurinë dhe mëshirën e zotit. Këto ishin vrasje pa kuptim, të kryera nga ekstremistë fetarë, të cilët vrasin për shkak të urrejtjes që kanë, tha ai. Një profesor i inxhinjerisë në Universitetin e Floridës Jugore, arabo-amerikan, e përmblodhi më së miri atë që ndjejnë arabo-amerikanët: Ata e ndjejnë dhimbjen dyfish. Së pari për atë që ndodhi dhe së dyti për shkak të mënyrës si shihen nga të tjerët.

XS
SM
MD
LG