Lidhje

Kongresi autorizon përdorimin e forcës - 2001-09-15


Kongresi amerikan miratoi një rezolutë e cila autorizon presidentin Bush të përdorë forcën ushtarake kundër atyre që gjënden përgjegjës për sulmet terroriste të së martës në New York e Washington. Ndërkohë, ligjvënësit miratuan një fond prej 40 miliardë dollarësh kundër terrorizmit. Siç njofton korrespondentja jonë Deborah Tate, tani këto masa presin firmën e presidentit Bush. Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga republikanët dhe Senati i kryesuar nga demokratët vepruan me një shpejtësi e unitet jo të zakontë duke miratuar masat e propozuara. Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat,Trent Lot:

”Unë kurrë nuk kam parë mes nesh një shembull më të mirë bashkimi e bashkëpunimi duke lënë mënjanë vogëlsitë dhe interesat e ngushta. Kjo është kohë tjetër dhe ne na duhet të veprojmë me vendosmëri. Populli pret prej nesh.”

Rezoluta e cila i jep presidentit kompetenca për të përdorur forcën e nevojëshme dhe në kohën që ai e sheh të arsyeshme kundër terroristëve, u hartua për të treguar përkrahje për presidentin Bush, ndërkohë që ruan rolin kushtetues të Kongresit për mbikqyrjen e veprimeve ushtrake.

Disa ligjvënës kishin argumentuar se kjo rezolutë nuk ishte e nevojshme ndërsa të tjerë thanë se ajo nuk mjaftonte. Por më në fund, ligjëvënësit ranë dakord.

Republikani Henry Hyde është kryetar i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për marrëdhënie me jashtë.

”Ne duhet t’i japim presidentit autoritetin e plotë për të përdorur të gjitha mjetet e Amerikës për të bërë luftë kundër armikut tonë, për ta shkatërruar atë dhe për të mbrojtur vendin.”

Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati miratuan një fond emergjence prej 40 miliardë dollarësh. Presidenti Bush fillimisht kishte kërkuar 20 miliardë dollarë, por kjo shumë u dyfishua me kërkesën e ligjvënësve nga New Yorku.

XS
SM
MD
LG