Lidhje

Pakistani për bisedime në Afghanistan - 2001-09-17


Zyrtarë të lartë pakistanezë kanë zhvilluar bisedime në Afganistan, në përpjekje për ta bindur qeverinë talebane t’ia dorëzojë Shteteve të Bashkuara Osama Bi Laden-in, të dyshuar për terrorizëm. Nuk janë dhënë hollësi lidhur me bisedimet që synojnë parandalimin e një sulmi të mundshëm të Shteteve të Bashkuara kundër Afganistanit. Delegacioni i Pakistanit shkoi sot në qytetin jugor Kandahar të Afganistanit, ku filloi menjëherë bisedimet me ministrin e Jashtëm taleban Wakil Ahmed Muttawakil. Ata gjithashtu kanë plan të takohen me udhëheqësin shpirtëror taleban, Mullah Mohammad Omar. Shtetet e Bashkura thonë se Osama Bin Ladeni është personi kryesor i dyshuar për sulmet terroriste shkatërrimtare në New York dhe Washington. Sauditi në mërgim ka mohuar se ka lidhje me sulmin. Qeveria taleban e Afganistanit thotë se do të vazhdojë ta mbrojë atë si mik dhe është kërcënuar se do të sulmonte çdo vend fqinj që do të ndihmonte Shtetet e Bashkuara për sulmin ushtarak ndaj Afganistanit. Pakistani ka patur lidhje të ngushta me Afganistanin dhe është një nga tre vendet që e njohin qeverinë taleban. Pakistani ka thënë se do të bashkëpunojë me Washingtonin për të ndihmuar në nxjerrjen para drejtësisë të Osama Bi Ladenit, megjithë se kjo ka hasur në kundërshtimin brenda vendit nga ana e fondamentalistëve islamikë dhe grupeve militante. Sot Pakistani e ka vënë ushtrinë në gjendje të lartë gadishmërie. Ndaj Afganistanit janë ndërmarrë sanksione ndërkombëtare për shkak se nuk ka pranuar ta dorëzojë Osama Bin Ladenin, që kur Shtetet e Bashkuara e akuzuan atë për panifikimin e sulmeve terroriste të vitit 1998 ndaj ambasadave amerikane në Kenya dhe Tanzani.

XS
SM
MD
LG