Lidhje

Në Tiranë kapet Nehat Kulla - 2001-09-18


Policia shqiptare arrestoi sot në orët e para të mëngjesit Nehat Kullën, i kërkuar prej disa muajsh. Kulla, një nga personazhet më të njohura për problemet e tij me drejtësinë u kap pas një operacioni të gjerë në periferi të kryeqytetit. Ai ishte liruar nga burgu katër muaj më parë, me një vendim të diskutueshëm të gjykatës së Tiranës.

Nehat Kulla rikthehet edhe një herë në bankën e të akuzuarve. Ai u arrestua sot rreth orës 5.30 të mëngjesit. Pas disa tentativave të dështuara policia e kryeqytetit arriti ta prangosë në periferinë e Tiranës, ndërsa ndodhej në një makinë në shoqërinë e një mikut të tij. Këtë herë ai nuk ka mundur të shpëtojë dhe është dorëzuar pa bërë rezistencë.

Nehat Kulla, është i njohur për problemet e tij të shumta me drejtësinë. Ai është dënuar disa herë dhe akuzat për të kanë qenë të gjithëfarëllojshme. Kulla u bë i famshëm gjatë trazirave të viti 1997 kur pas hapjes së burgjeve ai mori në mbrojtje një grup depozitash armësh në periferi të Tiranës, në zonën ku ai banonte. Kulla madje nuk ngronte të dilte në fotografi i armatosur edhe në vitet që pasuan.

Liria e tij nuk zgjati për shumë kohë. Më 12 shtator të 1999 ai u arrestua sërish në qytetin e Elbasanit dhe ndaj tij u bënë një seri akuzash, të cilat ranë gjatë procesit gjyqësor. Katër muaj më parë ai u lirua pak ditë para se në Gjykatën e Lartë të zhvillohej një proces tjetër ndaj tij. Një vendim i cili hodhi hije të rënda dyshimi mbi drejtësinë shqiptare. Por edhe këtë herë ai gëzoi vetëm 24 orë, pasi u rishpall në kërkim për shkak se keqtrajtoi dy gazetarë shqiptarë.

Ndërkohë Gjykata e Lartë rikonfirmoi akuzat ndaj tij duke dhënë një dënim disa vjecar. Arrestimi i sotëm jo vetëm do të rikthejë Kullën në qeli por do ta vendosë atë sërish përpara gjykatësve për denoncimin që kanë bërë ndaj tij dy gazetarët.

XS
SM
MD
LG