Lidhje

Lindja e Mesme e gatshme për koalicion kundër terrorizmit - 2001-09-18


Udhëheqësi palestinez Yasser Arafat thotë se është i gatshëm të bashkohet me koalicionin global të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në luftë kundër terrorizmit, pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Zoti Arafat thotë se i ka njoftuar Shtetet e Bashkuara se Autoriteti Palestinez është i gatshëm të marrë pjesë në aleancën ndërkombëtare për t’i dhënë fund terrorizmit kundër civilëve të paarmatosur.

Udhëheqësi palestinez ritheksoi angazhimin e tij për të mbështetur Shtetet e Bashkuara. Ai foli sot në një takim me diplomatët e huaj në qytetin e Gazës. Presidenti egjiptian Hosni Mobarak thotë se është ende herët për të folur mbi një aleancë ndërkombëtare kundër terrorizmit. Në një intervistë për mediat perëndimore, zoti Mubarak tha se aleanca do të dështojë nëse në të nuk përfshihen të gjitha vendet që janë të gatshme për angazhim. Udhëheqësi egjiptian tha se mënyra më e mirë do të ishte bashkëpunimi përmes Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe krijimi i një traktati të përgjithshëm kundër terrorizmit, të cilin të gjitha palët nënshkruese do të binin dakort ta respektonin dhe ta zbatonin. Edhe udhëheqës të tjerë të Lindjes së Mesme bënë thirje për angazhimin e Kombeve të Bashkuara dhe paralajmëruan që të mos ndërmerren veprime të shpejtuara ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara kundër udhëheqjes Taleban në Afganistan që strehon terroristin Osama bin Laden.

Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit Colin Powell thotë se Washingtoni nuk sheh ndonjë rol për Izraelin në kundërpërgjigjet ushtarake që mund të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara ndaj akteve të fundit terroriste. Vëzhguesit thonë se pjesëmarrja e Izraelit në një kundërpërgjigje ushtarake mund të krijonte probleme për aleatët arabë të Shteteve të Bashkuara, të cilët i kundërvihen mënyrës sesi Izraeli trajton palestinezët.

XS
SM
MD
LG